Ekskluzive: UEFA komenton dënimin me burg të kreut të FFK’së, Agim Ademi

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka dalë me një qëndrim sa i përket çështjes së dënimit me burg të kreut të FFK’së, Agim Ademi.

Ky i fundit vetëm ditë më parë u dënua me nëntë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë në një gjykim që zgjati disa vjet, shkruan Gazeta Olle.

Dënimi i tij shkaktoi shumë bujë dhe reagime në Kosovë, teksa vetë presidenti Ademi e quajti dënimin të influencuar politikisht.

E, rreth çështjes së dënimit nga gjykata, ekskluzivisht për Gazeta Olle, ka reaguar edhe shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA.

Në pyetjen e Gazeta Olle se si mund të ndikojë dënimi i Ademit në marrdhëniet legale UEFA-FFK, zyra për media shkroi se nuk dëshiron të komentojë gjersa të përfundojë edhe apelimi i vendimit të dënimit me burg.

“UEFA nuk ka koment pasi vendimi është subjekt i apelit dhe kësisojë nuk është final”, thuhet në përgjigjen zyrtare të UEFA’së.

Ndryshe, Ademi u dënua për akuzën e detyrimit, akuzë të cilën ai nuk e pranon. Për këtë ka deklaruar se lëndën do ta dërgojë në apel. /Gazeta Olle/

Agim Ademi dhe Eroll Salihu gjatë vizitës së fundit në UEFA