EKSKLUZIVE: Turqia fton sulmuesin e harruar nga Shqipëria e Kosova

Ishte pjesë e Kosovës U-21, më pas edhe e U-21 të Shqipërisë, kurse tani do të vesh fanellën e Përfaqësueses së tretë.

Vedat Muriqi është ftuar nga Kombëtarja U-21 e Turqisë, derisa shumë shpejt pritet të vesh fanellën edhe të Kombëtares së madhe të Turqisë.

Ai në një intervistë ekskluzive për emisionin Arena në Tribuna Channel, ka zbuluar bisedën me përzgjedhësin e Turqisë, Fatih Terim dhe përzgjedhësin e U-21, Abdullah Ercan.

Ish-sulmuesi i Lirisë së Prizrenit, prej më shumë se një viti luan me Giresunspor të Ligës së DYtë të Turqisë, ku këtë sezon ka shënuar 9 gola, duke u bërë shqiptari me më së shumti gola në ligat evropiane këtë sezon.

“Para dy muajsh jam pajisur me pasaportën e Turqisë. Ditë më parë jam kontaktuar nga trajneri i U-21 Abdullah Ercan i cili më ka thënë se do të më ftojë për ndeshjen kualifikuese që e zhvillojnë në muajin mars”, deklaroi Muriqi për Tribuna Channel.

Ai tregon edhe fjalët që ia tha Fatih Terim. “Terim më tha se kishte dërguar tre skaut për të më parë në tri ndeshje dhe ata kanë mbetur të kënaqur me paraqitjet e mia. Ai më ka rekomanduar të shkojë së pari te U-21, derisa më ka thënë se shumë shpejt mund të më ftojë në Kombëtaren A”, shtoi shtatëlarti Muriqi.

Sipas tij, Terim mund ta ftojë edhe në ‘EURO 2016′, pasi kanë mungesa të mëdha me sulmues.

Djaloshi nga Prizreni ka mbetur i zhgënjyer që të paktën U-21 të Shqipërisë nuk e kanë ftuar prej më shumë se 7 muajsh, derisa nuk ësthë kontaktuar as nga Përfaqësuesja A e Kosovës.