Ejupi pas gjendjes kaotike: Ka vështirësi, pa mungesa në paga për futbollistë

Përhapja e pandemisë së ‘koronavirusit’ ka shkaktuar jo pak telashe edhe në vendin tonë. Tashmë aktivitetet sportive janë ndalur dhe futbollistët janë ‘karantinuar’ në shtëpitë e tyre.

Një situatë kjo aspak e lehtë edhe për drejtuesit e klubit që tashmë kanë filluar të mendojnë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë situatë.

Remzi Ejupi, presidenti i FC Prishtinës ka folur në emisionin “Sport Show” në Klan Kosova, derisa ka thënë se futbolli kosovar është mësuar me ‘karantinën’ financiare.

“Natyrisht se është e mirë, dhe më shumë na mungon fusha, ashtu edhe sportistëve. Sa i përket anës financiare, nuk është e lehtë, por jemi mësuar me karantinën financiare që disa vite”, deklaroi fillimisht Ejupi.

Ai më pas foli edh për kontratat e futbollistëve të cilat mund të ju skadojnë në fund të qershorit, si dhe çështjen e pagave.

“Nuk kemi marrë asnjë vendim. Kemi kontrata të cilat duhet të respektohen. Duhet të jemi solidarë njëri me tjetrin ta kalojmë sa më lehtë. Besoj që kjo situatë nuk është primare”, tregon më tej ai.

“Asnjë lojtari nuk do t’i mungojë paga, por natyrisht se ka edhe vështirësi”, shtoi Ejupi.