Edhe në Gjermani raportojnë për interesimin e anglezëve për Rashicën: Dy skuadra të Premierligës…

Duke u thirrur në lajmin ekskluziv të publikuar dje nga Gazeta Olle, shumë media gjermane kanë raportuar sot rreth interesimit të klubeve të Premierligës për yllin e Kosovës, Milot Rashica.

“Werder hapi sytë! Xhevahirin Milot Rashica mund ta marrin klubet e Premierligës”, ishte kryelajmi i mediave gjermane sot, që i bëjnë thirrje kështu klubit gjerman t’i “hapë sytë” dhe të punojë për “blindimin” e talentit vushtrrias.

Disa prej mediumeve online në Gjermani kanë shkruar që Werderi duhet t’i ofrojë kontratë me kushte të përmirësuara Rashicës, nëse dëshiron të ndalë kosovarin në skuadër.

  

Dy agjentë anglezë të enjten udhëtuan në Republikën e Çekisë për ta përcjellë nga afër performancën e Rashicës në sfidën që Kosova e luajti kundër vendasve çekë.

Miloti luajti 90 minuta në këtë takim. Gazeta ka kontaktuar me agjentin e lojtarit, legjedën e Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala.

Ky i fundit theksoi se çdo interesim i klubeve më të mëdha evropiane është normal, por thotë se nuk ka asgjë konkrete.

“Unë nuk e di, por është normale që klubet interesohen në këtë fazë për Milotin dhe secilin lojtar të nivelit të tij. Kjo është normale në fushën që unë punojë. Por, unë nuk kam pasur asnjë kontakt”, u shpreh Lala për Gazetën Olle.

Ndryshe, Rashica arriti majat e futbollit gjerman pasi doli si produkt i klubit të Vushtrrisë.

Përmes Lalës, ai u angazhua te Vitesse në Holandë prej nga më pas kaloi në Gjermani te Werder Bremeni.

Me klubin gjerman, Miloti shpërtheu duke u bërë një nga yjet më të mëdhenj të Bundesligës gjermane këtë edicion.

Rashica është vetëm 23-vjeçar. /Gazeta Olle/