Edvin Murati zbulon afrimit më të madh që ka bërë De Biasi

Edvin Murati e pret Shqipërinë në Paris. Prej vitesh jeton aty dhe ëndrra e tij e madhe është që një ditë të shkojë në një nga stadiumet franceze për të parë kuqezinjtë që luajnë një ndeshje si finalistë të “Euro 2016″.

“Kjo do ishte idealja. Mendoj se këtë presin të gjithë shqiptarët, edhe pse nuk duhet të ngutemi dhe të themi se jemi pranë. Jemi në rrugën e duhur, por duhet pak kujdes”, thotë ish-mesfushori i shquar i përfaqësueses.

Murati rrëfen për “Panorama Sport” se ka qenë duke “spiunuar” Danimarkën në miqësoren me Francën dhe se nuk e ka parë direkt ndeshjen mes Shqipërisë dhe Armenisë. Megjithatë, ai është informuar më pas për gjithçka ka ndodhur në “Elbasan Arena” dhe është i mendimit se skuadra aktuale e kuqezinjve mund të bëjë atë që nuk arritën ta bënin lojtarët e brezit të tij.

 

Edvin, a është më e mirë kjo skuadër, apo ajo e brezit tuaj?

Më e mirë është ajo skuadër që fiton. Këta tani po fitojnë më shumë se ne dhe mendoj se janë më të mirë.

 

Sa shanse ka Shqipëria që t’ia dalë për në Euro 2016?

Ka shanse të mira, por të mos ngutemi. Na duhet ende shumë punë.

 

Çfarë ju pëlqen më shumë nga kjo skuadër?

Është këmbëngulëse dhe është gjithashtu e organizuar. De Biazit duhet t’ia njohim meritën që e ka bërë Shqipërinë një skuadër të disiplinuar jo vetëm taktikisht, por edhe në mënyrën se si mendon dhe se çfarë kërkon. Kjo më pëlqen realisht. Ka gjithashtu edhe disa djem të rinj të talentuar. Kemi shumë alternativa dhe kjo është gjithashtu meritë e një pune të përbashkët mes stafit dhe federatës.

 

Ju e patë ndeshjen me Armeninë? Si ju duk ekipi?

Fatkeqësisht nuk arrita ta shoh gjatë kohës që luhej, sepse isha në stadium duke parë Francën dhe Danimarkën. Por e kam parë më pas dhe jam informuar plotësisht për atë që ka ndodhur.

 

E patë ndeshjen e Danimarkës me kërkesë të FSHF-së…? Keni qenë si i dërguar i tyre?

(qesh)… Ok, nëse do më kërkojnë ndonjë mendim, mund t’ua jap. Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe të ndihmosh vendin tënd dhe Kombëtaren tënde. Ne ndeshjen e radhës do ta luajmë në Danimarkë dhe sigurisht që disa informacione ekstra De Biazit nuk do t’i bënin keq…

 

Mendoni se mund t’ju dëgjojë, ose më saktë mund t’i marrë në konsideratë informacionet tuaja?

Nuk e di saktësisht, por nëse ma kërkon mund t’i them opinionin tim për disa gjëra specifike që kanë të bëjnë me Danimarkën. Por, aq sa e njoh unë De Biazin, ai është njeri i hapur dhe nuk vuan nga kompleksi për të dëgjuar edhe sugjerimet e të tjerëve. Në fund vendos vetë pa diskutim. Por, gjithsesi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se gjatë kësaj periudhe De Biazi do ta studiojë mirë Danimarkën, deri në detaje. Është një trajner që i studion mirë kundërshtarët.

 

Të kthehemi pak te skuadra jonë. Ju keni qenë një futbollist krahu. Sot Shqipëria është më mirë nga krahët me Lenjanin dhe Roshin, apo në kohën e Brigelit me Haxhin dhe Muratin…?

Oh, ja prapë me krahasime! Shikoni, nuk mund ta mohoj që ai brez futbollistësh ishte i mirë. Ndoshta me një trajner si De Biazi mund të kishte bërë më shumë. Por ato kohë ishin dhe ashtu shkuan gjërat. Edhe në aspektin organizativ federata nuk ishte në nivelet që është sot. Aktualisht jemi koshientë që kujdesi ndaj përfaqësueses është maksimal dhe ka arritur nivelet europiane në çdo detaj.

 

Pse mendoni se me një trajner si De Biazi në vend të Brigelit mund të kishit bërë më shumë?

Sepse De Biazi është më ek- spert në planin taktik dhe punon më shumë nga ana psikologjike. Ai arrin t’u marrë maksimumin lojtarëve edhe kur ata nuk janë në ditën e tyre më të mirë, por ndërkohë ruan edhe ekuilibrat brenda ekipit. Janë elementë që nuk duhen nënvlerësuar. Ndërsa Brigeli kishte cilësi të tjera. Në planin taktik nuk ishte si De Biazi, por ama solli një frymë të re në skuadër. Kishte disiplinë dhe më shumë kërkesë llogarie. Edhe konkurrencë pa dyshim.

 

Dakord, por nuk m’u përgjigjët për lojtarët e krahut…

Nuk mund të bëjmë krahasime. Shqipëria tani ka lojtarë të mirë si Lenjani dhe Roshi në mesfushë, por edhe në mbrojtje. Agolli dhe Hysaj janë gjithashtu futbollistë cilësorë. Është rregull i pashkruar i futbollit: skuadrat fituese duhet të kenë edhe “krahë” të mirë. Sot Shqipëria i ka dhe ndoshta me ndonjë përmirësim të vogël, mund të jetë më e rrezikshme.

 

Kur keni parë një ndeshje të Shqipërisë kohët e fundit, cila është gjëja që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Ndoshta mbrojtja. Cana me Mavrajn kuptohen mirë. Hysaj është shumë cilësor, ndërsa Agolli ekspert. Dyshja e qendrës gjithashtu kuptohen mirë me Berishën, që është një portier shumë cilësor.

 

Cili ishte lojtari më i mirë kundër Armenisë?

Altin Lala… (qesh). Nejse, tani e kam seriozisht. De Biazi ka afruar një staf cilësor dhe po e menaxhon mirë grupin. Afrimi i Lalës si zëvendës, një njeri që e njeh mirë edhe mentalitetin e ekipit është plus. Lala, përveç eksperiencës si futbollist, është një njeri pozitiv që e mban të bashkuar skuadrën dhe jep gjithnjë shembullin e profesionalizmit.