Edhe Udinese pas Kaçes

Baseli është vetëm një ndër klubet e interesuar për Ergys Kaçen dhe konkurrenca do të jetë e ashpër, deri në fund të verës.

Tashmë në garë është futur edhe Udinese, një klub i specializuar në zbulimin e lojtarëve të talentuar, që më pas i shet për shifra shumë më të mëdha.

Klubi i Serisë A ka kohë që e ndjek më vëmendje Kaçen dhe e sheh si lojtarin ideal për mesfushën, duke parë eksperiencën e tij të madhe në klube dhe kombëtare, pavarësisht nga mosha shumë e re.

Një shtysë për Udinesen përbëjnë edhe fjalët e trajnerit tonë, De Biasi, lëshuar për sitin italian “mondoudinese.it”, i cili ka thënë fjalë mjaft të mira për mesfushorin e PAOK-ut: “Kaçe është një lojtar me shumë personalitet dhe pavarësisht nga mosha e re, ka që tani një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, si me kombëtaren, ashtu edhe me klubin e vet”.

“Preferon të luajë si mesfushor i avancuar dhe ka klas, di të gjuajë shumë mirë edhe goditjet e dënimit. Përveç kësaj, ka një vizion loje të pazakontë për moshën e tij”.

A është gati për Serinë A? Për De Biasin, po: “Mund të luajë në nivele të larta me skuadra si Fiorentina, Sampdoria e Udinese”, shkruan sportal.

Faqja italiane ka pyetur edhe një gazetar nga Selaniku, i cili për Kaçen ka thënë se “është një fenomen”.

Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë që Kaçe të shkojë tek Udinese, duke parë listën në rritje të klubeve që e duan.