Edhe Tovërlani kritikon miqësoren me Danimarkën: Ja pse s’do të duhej të luanim sonte me skandinavët

Trajneri më i trofeshëm i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani, ishte i ftuar në emisonin “Zona B” në Klan Kosova, për analizuar dy ndeshjet e radhës së Përfaqësueses së Kosovës.

Tovërlani ka shpjeguar se pse Kosova do ta zhvillojë miqësoren me Danimarkën, duke thënë se është me rregullore të UEFA-s, për arsye që të mos jetë më e pushuar se sa kundërshtari (Bullgaria) për pikë.

“Sikur mos të luante Kosova me Danimarkën, atëherë do të ishin më të pushuara për ndeshjet kualifikuese, janë të obligume për t’i zhvilluar miqësoret prej UEFA-s, është obligative. Nëse nuk mund të gjesh kundërshtarë, UEFA të gjen”, ka deklaruar Tovërlani.

“Toki” tutje ka thënë se nuk do ta kishte zgjedhur miqësoren me Danimarkën, për dy arsye. Njëra për shkak se është ekip shumë i fortë fizikishtë dhe e dyta është dëshpërimi që mund të pasoj në rast së humbjes.

“Janë shumë fizik edhe nuk kisha dashtë me u dëshpëru para ndeshjes me Bullgarinë. Nuk ka me qenë prioritet fitorja, mendoj që dëshira do të jetë tek futbolistët për ta mposhtur një kombëtare si Danimarka. Më shumë do të jetë si do të veprojë skuadra, kur sulmon Danimarka dhe si do të veprojmë ne kur kemi posedimin e topit, për të kuptuar se si do të luajmë ndaj Bullgarisë”, ka thënë trajneri Tovërlani.

Ish trajneri i Prishtinës dhe Feronikelit ka thënë se nuk është e udhës që para ndeshjes me Bullgarinë të themi se do të fitojmë, por fillimisht ta kryejmë punën në fushë e pastaj të flasim.