Edhe një shqiptar në La Liga

Nëse fati i keq do të mbajë larg fushave Armando Sadikun, La Liga do të ketë një tjetër lojtar që do të përfaqësojë Shqipërinë. Bëhet fjalë për Kleandro Lleshin, futbollistin e përfaqësueses së 19-vjeçarëve të drejtuar nga Erjon Bogdani.

Vetëm 18-vjeçar, por me shumë cilësi për rolin si mesfushor qendre. Një lojtar të cilin klubi spanjoll e afroi gjatë verës së kaluar nga të rinjtë e Belenenses në Portugali. Një vit i mjaftoi futbollistit për të treguar cilësitë e tij në klubin madrilen.

Gjatë kësaj vere, Lleshi u testua në ekipin e parë nga trajneri Mauricio Pellegrino. Në miqësoret e verës, talenti kuqezi e bindi drejtuesin e stolit për cilësitë dhe faktin që mund t’i shërbejë ekipit gjatë sezonit të ri.

Për këtë arsye, Kleandro Lleshi është përfshirë në listën e 22 futbollistëve që Leganesi do të ketë në dispozicion për kampionatin e ri në Spanjë. Por, ai nuk është i vetmi.

Gjatë sezonit të kaluar te ekipi B i madrilenëve luajti sulmuesi i transferuar nga Tirana, Elvi Berisha, ndërsa tashmë skuadrës i është bashkuar edhe talenti i përfaqësueses së 17-vjeçarëve, korçari Dean Liço.

Leganes është kthyer në kuptimin e plot të fjalës në një fidanishte kuqezi. Madrilenët po rrisin në radhët e tyre yjet e rinj të Kombëtares, me Spanjën, që tashmë është kthyer në tokën e premtuar të shqiptarëve.