Edhe Mushica injoron Llapin për titull, ja analiza e tij për kreun, barazhin dhe fundin

Investimet e mëdha të bërë në afatin kalimtar të janarit nga ana e klubeve kosovare, në dy xhirot e para nuk kanë lënë shumë gjurmë në start. Kjo edhe ka krijuar një përshtypje që edhe sivjet si shumë vite të kaluara klubet tona mund të dështojnë sa i përket prurjeve nga jashtë.

 

Padyshim dëshmia më e mirë se klubet tona nuk po bëjnë fare analizë para se t’i sjellin lojtarët e huaj, është Liria e cila solli aq shumë lojtarë të huaj por ja që në dy ndeshjet e para pësoi humbje dhe tash më shumë të drejtë nga analistët po cilësohet si skuadra më e rrezikuar për largim nga liga.

Njohësi i mirë i futbollit kosovar, portieri i mirënjohur Kushtrim Mushica këtë kampionat e shesh si shumë interesant, derisa po beson se befasitë që u paraqitën në dy ndeshjet e para mund të përsëriten edhe në ndeshjet e  radhës, pasi niveli i skuadrave është përafërsisht i barabartë dhe askush asgjë të sigurt nuk ka. Sa i përket përforcimeve nga jashtë, ish gardiani bardhekaltër mendon se duhet pritur edhe pak para se t’ju jepet një vlerësim adekuat.

Befasoi Prishtina

“Ky edicion ka një start shumë interesant, ku nuk munguan edhe befasitë. Prishtina pati një fillim jo të mirë pasi të gjithë kanë pritur ndryshe, kjo gjithmonë duke u bazuar në stinorin vjeshtor ku e mbylli me shumë sukses dhe atë jo vetëm pse përfundoi e para por edhe performancën e kishte të mirë, por ja që sivjet nuk e nisi ashtu siç është pritur”, ka thënë në fillim të bisedës për gazetën “Kosova Sot”, Kushtrim Mushica sipas të cilit nga kjo nismë jo e mirë e Prishtinës më së shumti përfitoi Feronikeli.

“Feronikeli e shfrytëzoi më së miri  këtë situatë duke e rrëmbyer vendin e parë. Kjo edhe tregon se do të jetë  një “luftë” e madhe deri në fund për titull, pasi çdo gabim mund të shfrytëzohet nga kundërshtari”, ka thënë Mushica i cili po beson se deri në fund të kampionatit asgjë nuk do të dihet.

Mbijetesa një garë shumë e nxehtë

Përveç titullit të kampionit, sivjet shumë interesant dhe e nxehtë pritet të jetë edhe lufta për mbijetesë. Gardiani prishtinas, të cilin shumë shpejt mund ta shohim si trajner duke e drejtuar ndonjë skuadër kosovare, beson se ekzistenca do të jetë një garë shumë e fortë.

“Kur flasim për mbijetesën, atëherë flasim për 80% të skuadrave garuse, sepse nga vendi i 4-t janë të përfshira. Liria dhe Ferizaj janë më të rrezikuarat që mos të sigurojnë as barazhin, pra njëra nga këto do t’i bashkëngjitet KEK-ut”, ka thënë Mushica sipas të cilit edhe lufta për t’i ikur barazhit do të jetë joshëse dhe e paparashikuar.

“Shumë skuadra janë duke garuar për t’i ikur barazhit, pra do të jetë interesante edhe pjesa e poshtme e tabelës ku të gjitha skuadrat kanë bërë lëvizje në afat kalimtar madje duke u përgatitur edhe jashtë vendit”, ka përfunduar Kushtim Mushica.