Edhe LRF e Gjakovës i del në mbështetje Agim Ademit

Bordi i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjakovës së bashku me delegatët e këtij rajoni mbajti mbledhjen e vet menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të gjykatës për kryetarin e FFK-së Agim Ademi dhe lidhur me këtë pas një diskutimi del me këtë njoftim:

“Aktgjykimi i gjykatës ka të bëjë me çështjen private të kryetarit Ademi dhe që nuk ka lidhje aspak në aspektin e sportit – futbollit e që në këtë drejtim kryetari ka një meritë të pakontestueshme në udhëheqjen e FFK-së e sidomos në avancimin e Lidhjeve Rajonale të Futbollit.

Nën udhëheqjen e tij në LRF të Gjakovës është shtuar numri i ekipeve të futbollit, janë avancuar Shkollat e Futbollit, është ndërtuar stadiumi me bari sintetik në Gjakovë si dhe është rritur numri i gjyqtarëve të rinj.

Duke marrë parasysh punën e palodhshme të tij në udhëheqjen e FFK-së janë arritur suksese të mëdha duke u nisur nga Kombëtarja e Kosovës pa asnjë humbje në garat e kualifikimeve, grupmoshat e reja për çdo lavdatë, futsalli në arenën ndërkombëtare me 3 ekipe, avancimi i futbollit të femrave andaj ne si Lidhje Rajonale e Futbollit të Gjakovës i japim përkrahje të parezervë që i njëjti të na udhëheq edhe mëtej deri në fund të mandatit të tij.

Bordi i LRF të Gjakovës”.