Edhe ‘Kamishi’ flet për postin e kreut të FFK’së, tregon nëse do të kandidojë

Deputeti i PDK-së dhe ish nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bekim Haxhiu ka folur rreth postit më të admiruar të momentit në futbollin kosovar.

I njohur me nofkën ‘Kamishi’, ish-nënkryetari i FFK’së, ka deklaruar se nuk ka ambicie për të hipur në fronin e federatës, shkruan GazetaOlle.com.

Ai thotë se e ka përfunduar misionin kur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA.

Postimi i plotë i Haxhiut:

“Me shkas,
Për shkak të zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe apostrofimit të emrit tim nga persona të papërgjegjshëm, e ndjej për obligim të ju them të gjithë atyre që nuk kanë njohuri apo qëllimshëm manipulojnë, se unë nuk kam asnjë ambicie për postin e Kryetarit të FFK-së.
Unë kam punuar 8 vite në Federatë si nënkryetar i FFK-së, dhe kryetar i Komisionit Mjekësor.

Për 8 vite kam punuar pa pagesë, jam përpjekur që së bashku me legjendën e futbollit Fadil Vokrri dhe Komitetin Ekzekutiv ta avancojmë, zhvillojmë dhe ndërkombëtarizojmë futbollin tonë, që ka rezultuar me pranim në UEFA dhe FIFA.

Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, edhe pse nuk kishte asnjë kërkesë me shkrim, unë duke konsideruar të përfunduar misionin në FFK, mes përfaqësimit qytetarë si deputet dhe udhëheqjes në FFK kam zgjedhur Kuvendin e Kosovēs.

Por në vazhdimësi dhe me krejt qenien time jam përpjekur ta ndihmoj sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti.
Ju rikujtoj se:
– Bashkë me ish deputeten Vjollca Krasniqi kemi organizuar debatin e parë për sport në Kuvend të Kosovës,
– Kam punuar shumë me kryetarin Vokrri në ndërtimin e kësaj Përfaqësuese që kemi në të gjitha aspektet, jam marrë edhe me punët adminstrative të pasaportave të lojtarëve, derisa kemi kompletuar ekipin për lojën e parë kundër Finlandës deri tek ardhja e përzgjedhësit Bernard Challenges.
– Kam qenë kryetar i Grupit punues për dy Ligjet që avancojnë sportin:Ligjin për Sponzorizim dhe Ligjit per parandalim dhe sanksionimin e dhunēs dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.

– Kam punuar për të siguruar mjete financiare për investime në sport në infrastrukturë sportive, dhe në fusha futbolli deri tek premitë për ekipin kombëtar,
– Kam siguruar buxhetin për ndërtimin e Parkut dhe Shtatores Fadil Vokrri, etj.Unë me vendim të Komitetit Ekzekutiv dhe të kryetarit Agim Ademi, jam udhëheqës i Komisionit për çështje mjekësore dhe anti-doping, komision profesional i FFK-së ku vazhdoj të ndihmoj Federatën e Futobollit të Kosovës.Në vazhdimësi kam punuara për sportin, për rinin tonë, pa ambicie për veti, as sot nuk kam ambicie për kryetar të FFK-së dhe sipas Statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës unë nuk kam të drejtë as me kandiduar për postin e kryetarit të FFK-së në zgjedhjet e Federatës që duhet të fillojnë në vjeshtë të 2019-es dhe duhet të përfundojnë me 14 janar 2020-es, me zgjedhje të kryetarit.

Për t’i hequr të gjitha dilemat tani dhe për vitet në vijim ju bëj me dije se tek kushtet për zgjedhjen e kryetarit të FFK-së thuhet se: për të kandiduar për kryetar të FFK-së, dy vitet e fundit nuk duhet me qenë në politikë, ndërsa mandati im si deputet përfundon me 4 korrik 2021.Të gjithë ata që apostrofuan emrin tim në këtë çështje e kanë bërë sa për të përfituar nga situata, janë të padijshem, të palexueshëm dhe se për çdo gjë kanë fajtorin kujdestar, por unë nuk jam ai.

Normalisht që situata e krijuar në FFK, më ka shqetësuar shumë dhe nga këtu ku jam këto ditë në Slloveni po e përcjell. FFK duhet të tejkaloi këtë situatë, këtë ia kanë borxh Legjendës, Fadil Vokrrit dhe këtu duhet pasur shumë kujdes edhe me familjen e tij.
Agim Ademi është duke vazhduar mandatin e mbetur të Fadil Vokrrit, për ketë kujdesi ndaj Gramoz Vokrrit dhe familjes Vokrri do të duhej të ishte me i veçantë dhe më i peshuar.

Janë klubet ato që e kanë zgjedhur Agim Ademin që t’i përfaqësoi, po ashtu janë klubet ato të cilat edhe në të ardhmen do të vendosin se kush do të jetë kryetar i FFK-së.Federata e Futbollit të Kosovës nuk është dasht me ardhë në këtë situatë në raport me Gramozin, djalin e Fadil Vokrrit. Kjo duhet të rregullohet dhe posa të kthehem nga Sllovenia jam i gatshëm të jap kontributin tim për ta tejkaluar këtë nese ka gatishmëri për një gjë të tillē”.