Edhe Besnik Krasniqi drejt Flamurtarit

Futbolli kosovar është kthyer në një “supermarket” për klubin vlonjat të Flamurtarit.

Pasi kanë zyrtarizuar në radhët e tyre mbrojtësin e majtë Dardan Çerkini, që ka luajtur me Dritën e Gjilanit, ata tani janë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë.

Dhe nuk janë lodhur shumë për të gjetur kandidatin për këtë post. Drejtuesve të klubit vlonjat duket u ka mbetur në mendje Besnik Krasniqi, cili para dy sezonesh luajti me Partizanin për të kaluar më pas te Teuta.

Sipas burimeve të sigurta të gazetës “Panorama Sport”, mësohet se mbrojtësit Besnik Krasniqi drejtuesit e klubit Flamurtari i kanë bërë një ofertë konkrete për t’u bashkuar me skuadrën kuqezi dhe janë në pritje të një përgjigjeje prej tij.

Në “orbitën” e synimeve të vlonjatëve thuhet se janë edhe mbrojtësi Ardian Limani i Dritës apo Veton Shabani i Hajvalisë, ndërkohë që në provë duke u testuar është Drilon Osmani i Drenicës, që pret vendimin e trajnerit të ri Ramadani.