“E mrekullueshme”: Drejtori sportiv i Feronikelit nuk ia ka idenë sa paguhet Kone

Gjatë ditës së sotme është duke qarkulluar një lajm se futbollisti i Feronikelit, Hamed Kone, është më i paguari i Superligës, mandje me pagë më të madhe se të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Hamed Kone, erdhi te ish kampioni i Kosovës gjatë afatit kalimtar të janarit, duke ardhur si një transfer i bujshëm në skuadrën e trajnerit, Zekirja Ramadani.

Kone supozohet se ka një pagë prej 3,500 euro bruto në muaj, e që i bie se paguhet më shumë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Drejtori sportiv i Niklit, Avdullah Tahiri, nuk ia ka idenë se çfarë kontratë ka nënshkruar Kone me klubin.

“Duhet ta vërtetoj edhe unë, sepse ai ka ardhur përnjëherë dhe nuk kam pasur çasje për të. Ai [Kone] ka ardhur një ditë para se të kthehemi ne (nga udhëtimi në Antali). Nuk e di (kohëzgjatjen e kontratës)”, ka thënë Tahiri për Insporti.com.

Tutje ai ka shtuar: “Detajet e pagave janë konfidenciale, nuk e di kush e ka publikuar këtë.”

Kjo vaki ndodh vetëm në futbollin kosovar, pasi që një drejtor sportiv të mos jetë në dijeni rreth një transferimi dhe kostos financiare të atij transferim, është e pamundur.

Feronikeli këtë sezon është në garë për titullin e kampionit dhe në stinorin vjeshtor përfundoi në pozitën e dytë me 39 pikë, vetëm një pikë më pak sa sa liderja e tabelës, Prishtina.