E çuditshme: Futbollisti i vitit, Xhevdet Shabani, mund t’i thotë lamtumirë futbollit të Kosovës!

E pabesueshme, por mund të bëhet realitet. Futbollisti më i mirë i futbollit të Kosovës për vitin 2018, Xhevdet Shabani, mund t’i thotë lamtumirë futbollit të Kosovës.

Sulmuesi i Dritës së Gjilanit, prej javësh ka udhëtuar jashtë vendit, derisa momentalisht ndodhet në Francë, kurse për disa ditë ka qëndruar edhe në Zvicër.

Gazeta Olle mëson ekskluzivisht se lojtari i është bashkuar vëllait të tij në Francë dhe se po e shqyrton mundësinë e gjetjes së ndonjë pune. Nëse kjo ndodh ai nuk do të kthehet më në futbollin e Kosovës.

Skuadra e tij, Drita, ka nisur të hënën përgatitjet për stinorin pranveror, ndërsa trajneri Shpëtim Duro thotë se i ka dhënë vetëm dy ditë pushim Shabanit.

“Ka qenë me leje dy ditë më shumë dhe do të paraqitet në ditët në vazhdim”, është arsyetimi që Duro i ka dhënë Gazetës Olle në lidhje me yllin e saj.

Largimi i mundshëm i Shabanit do të ishte lajm i keq jo vetëm për tifozët e Dritës dhe vetë skuadrën, por edhe për futbollin e Kosovës, bazuar në cilësitë e kaçanikasit. /Gazeta Olle/