E bujshme: Shkëndija e gjen trajnerin e ri në Shqipëri

Drejtuesit e Shkëndijes së Tetovës kanë shkarkuar ditën e djeshme trajnerin Qatip Osmani me motivacionin e rezultateve të dobëta.

Tetovarët në këtë fillim kampionati kanë pasur probleme, teksa në katër ndeshje kanë pësuar tre humbje.

Ndërkohë, skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut sezonin e kaluar, momentalisht renditet në vendin e fundit në klasifikim duke koleksionuar vetëm një pikë.

Në këtë formë, shkarkimi i trajnerit ishte i paevitueshëm.

Tashmë, tetovarët kanë nisur të mendojnë për emrin e teknikut të cilit do t’i besojnë klubin, ndërsa burime pranë VipSport mësojnë se kandidat është edhe Orges Shehi, ish-trajneri i Skënderbeut i cili i drejtoi korçarët për një sezon.

Mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët, ndërsa Shkëndija do të ishte një eksperiencë e rëndësishme në karrierën e Shehit si trajner.