Dy rrahje në javën e parë pas pranimit në UEFA

Java e parë e futbollit kosovar pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA nuk ka kaluar në mënyrën më të mirë. Ka pasur rrahje në një ndeshje të femrave dhe ndërprerje të ndeshjes për shkak të sulmit mbi gjyqtarin në Ligën e Parë të meshkujve.

“Fundjava e zezë” nisi të shtunën, në derbin e femrave të luajtur në Mitrovicë, mes skuadrës vendëse Mitrovica dhe Hajvalisë, shkruan Koha Ditore.

Hajvalia e fitoi duelin që edhe mund të përcaktojë kampionin e ri. Fitoi 3:1 dhe ia mori vendin e parë Mitrovicës, ndonëse të dy ekipet kanë nga 33 pikë dhe disa ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund. Nëse ekipet mbesin me pikë të njëjta, atëherë Hajvalia shpallet kampione, pasi është më e mirë në duele direkte dhe ka golaverazh dukshëm më të mirë.

Pas mbarimit të lojës, në fushë plasi një rrahje mes futbollisteve të dy skuadrave. Është raportuar se janë përfshirë edhe zyrtarët e skuadrave, por kjo është mohuar nga ata.

“Është keq që ndodhi, por nuk ka kthim prapa. Ajo që dua të them është se vajzat nuk janë prekur me dorë, e lëre më të sulmohen nga zyrtarët e klubit tonë”, ka thënë Hajrullah Haxhiu, kryetar i klubit Mitrovica..

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar në Viti kundër Vllaznisë së Pozharanit, ndeshja u ndërpre pasi që skuadra vendase ka sulmuar gjyqtarin e ndeshjes, kur ishte në disavazntash 1-0.