Dy kandidatët për kryetar të FBK

Pas publikimit të lajmit se Erolld Belegu ka dhënë dorëheqj nga posti i kryetarit të FBK-së, duke respektuar opinionin e Agjencionit Kundër Korrupsionit dhe duke shmangur konfliktin e interesit, në qarqet e basketbollit ka filluar gara për postin e të parit të kësaj federate.

Siç dihet, Belegu tash është Këshilltar i Jashtëm i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe ka vendosur të tërhiqet nga FBK, duke mos mbajtur edhe poste menaxheriale në sport, përkrah posteve politike.

Zyrtarisht ende asnjë kandidat nuk ka dorëzuar nominimet dhe nënshkrimet e nevojshme të klubeve për të bërë zyrtare kandidaturën e tij për këtë post, por Insporti merr vesh se janë vetëm dy pretendentë më seriozë në këtë garë.

I pari kandidat mësohet se është Arben Fetahu, aktualisht anëtar i Bordit dhe i Komitetit Ekzekutiv të FBK-së. Fetahu, sipas burimeve të Insportit ka përkrahjen e të gjitha klubeve të Superligës, shumicës së shoqatave, dhe klubeve Ligës së Femrave dhe të Ligës së Parë.

Fetahu ka qenë basketbollist i Prishtinës, një kohë edhe kapiten i këtij ekipi, po ashtu ka shërbyer në kryesi të Sigal Prishtinës.

Kandidati tjetër pritet të jetë Artan Rugova, ish nënkryetar i kësaj federate për disa vite nën Erolld Belegun dhe Fatmir Gashin.

Rugova, po ashtu ka luajtur basketboll për Prishtinën, Exclusiven dhe klube tjera në Kosovë dhe sipas po të njëjtit burim të Insportit, Rugova e ka përkrahjen e disa kubeve të Ligës së Parë dhe Ligës së Femrave, së paku një shoqate dhe është duke lobuar që të sigurojë përkrahje edhe nga klubet e elitës.