Dy amerikane ia fituan titullin Bashkimit

Ndonëse me traditë, Bashkimi në vjeshtë ishte skuadër inferiore në Ligën e Femrave në basketboll.

Nuk vlerësohej as për së afërmi pretendent për trofe.

Në pushim mes dy edicioneve drejtuesit e rinj të klubit prizrenas vendosën për një ndryshim, që të përforcohen me dy basketbolliste amerikane.

Dhe dallimi ishte më se evident. Bashkimi i fitoi të gjitha 14 ndeshjet e luajtura në vitin 2018 dhe të enjten fitoi dhe titullin e kampionit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjen e tretë të serisë finale të plejofit fitoi pa ndonjë vështirësi ndaj Penzës, me shifrat 77:50. Ndeshja është luajtur në Pejë, ndërsa u përcoll nga rreth 200 shikues.

Bashkimi te titulli erdhi pas serisë 3:0 në fitore në finale të plejofit. Në fakt, ndeshja e parë ishte ndërprerë për shkak të sulmit fizik të ndihmëstrajneres së Penzës ndaj njërit prej arbitrave.

Por kur ndodhi sulmi, fituesi ishte i qartë. Bashkimi fitoi bindshëm në Prizren dhe të enjten kreu punën.