Duro injoron Llapin: Si lufton për kreun një skuadër që di vetëm të shtrihet në tokë?

Drita ka pësuar humbje në udhëtim te Llapi me rezultat 0:1, ndërsa trajneri i skuadrës gjilanase Shpëtim Duro është shprehur shumë kritik për qasjen e skuadrës mikpritëse.

“Më vjen keq që një skuadër si Llapi që pretendon të jetë në kreun e tabelës të ketë qasje të tillë ndaj lojës. Në pjesën e dytë nuk pati lojë efektive, por vetëm zvarritje, sepse lojtarët vendës më tepër qëndruan të shtrirë në fushë”, ka thënë Duro për Super Sport Kosova pas ndeshjes.

Sa i përket paraqitjes së skuadrës së tij, ai është shprehur:

“Duhej ta vendosnim ndeshjen para se të shënonte Llapi, sepse patëm raste dhe mundësi për ta bërë këtë. Pastaj, pësuam një gol në fund të pjesës së parë dhe ai ishte momenti vendimtar. Sigurisht edhe mungesa e tre lojtarëve kryesorë: Xhevdet Shabani, Betim Haxhimusa dhe Haxhi Neziraj e bëri të veten, por ne duhej ta menaxhonim skuadrën edhe në këtë mënyrë”, ka theksuar Duro.