Duraku: Jam shkarkuar, përhajr qoftë

Trepça ’89 ka vendosur që të bëjë ndryshime në shtabin teknik me ç’rast e ka shkarkuar trajnerin Fahredin Duraku.

Një gjë e tillë ka ndodhur pas humbjes së sotme që kjo skuadër e përjetoi në udhëtim nga Hajvalia me shifrat 4:2. Zyrtari i lartë i ’89-shit, Ilir Bojku në këtë mënyrë e ka arsyetuar për Gazetën ‘Olle’, largimin e Durakut nga skuadra. “Ekipi ishte pa disiplinë, Duraku nuk ka mund ta mbajë skuadrën nën kontroll. Është i mirë vetëm për ndihmës e jo për trajner të parë”, thotë Bojku.

Gazeta e ka kontaktuar edhe trajnerin i njohur si ‘Duro’ i cili ka mbetur i befasuar. “Kam qenë në ‘Klan Kosova’ për të bërë një analizë të ndeshjes Barcelona – Real Madrid, dhe e kam ndalë telefonin. Tash nga ju po dëgjojë se jam shkarkuar. Po pse jam shkarkuar?”, pyet Fahredin Duraku.

“Nëse është e vërtet se jam shkarkuar, në rregull. Unë e dua Trepçën ’89, jam i Mitrovicës. Nëse është e vërtet, prapë po them qoftë për hajr. Nëse unë jam fajtor do të largohem dhe nuk do të hidhërohem”, shtoi Duraku.

Ai, në këtë mënyrë i komentojë deklaratat e Bojkut se Duraku është vetëm për ndihmës. “Nëse ata mendojnë ashtu, nuk ka problem. Është e drejt e ‘Gogit’ (Ilir Bojkut) me mendu çka dëshiron. Nuk po di çfarë të them”, përfundoi Fahredin Duraku.

Vendin e Durakut pritet ta zë trajneri nga Prishtina, Afrim Tovërlani.