Dukagjini me ndryshime në janar, Elezaj thotë që skuadra nuk do të dorëzohet

Dukagjini ka zhgënjyer në rikthimin në Superligën e futbollit kosovar, duke mos arritur të gjejë veten mes skuadrave elitare të vendit.

Pas 17 ndeshjeve të zhvilluara në vjeshtë, dukagjinasit kanë grumbulluar vetëm 8 pikë, duke u renditur në vendin e fundit në tabelë.

Mirëpo, Dukagjini s’do të dorëzohet dhe paralajmëron disa ndryshime në afatin kalimtar të janarit.

“Kemi filluar bisedimet me disa futbollistë dhe do të ketë lëvizje në afatin kalimtar. Si cdo ekip në Superligë, edhe në klubin tonë do të ketë ndryshime me qëllimin e vetëm që të ndryshojmë mënyrën e lojës”, deklaroi trajneri i ekipit, Severin Elezaj për Gazetën Olle.

Elezaj thotë që dorëzimi nuk është në fjalorin e Dukagjinit.

“Dorëzimi nuk është në mesin tonë. Qëllimi i klubit është që të kemi afër vetes disa lojtarë cilësor dhe që do të marrin përgjegjësi në ndeshjet e pranverës”, u shpreh Elezaj. “Besoj që klubi do të arrijë objektivat e afatit kalimtar, por aktualisht s’mund të flasim me emra”, shtoi ai.

Nga Dukagjini largimin e ka konfirmuar portieri i njohur, Flamur Neziri.

Kësisoj, portën e skuadrës në pranverë do ta zë Altik Muhaxhiri, i cili ka mbrojtur në paraqitjet e fundit të skuadrës nga Klina.

Kujtojmë që Dukagjini është kualifikuar në cerekfinalen e Kupës së Kosovës, ku ballafaqohet me Ballkanin më 7 ose 8 shkurt. /Gazeta Olle/