Duka: Vuajmë ndarjen nga Kosova sepse do t’i kishim talentët e tyre, ata po bëjnë ndeshje fantastike

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë të gjatë me SuperSport, ka folur në detaje për Shqipërinë dhe sezonin e Kombëtares Shqiptare.

Ai ka folur edhe për Kombëtaren e Kosovës dhe sa janë dëmtuar ata pas pranimit të Kosovës në UEFA.

“Kam parë ndeshjen me Bullgarinë dhe atë me Malin e Zi, i kam ndjekur në SuperSport. Kanë qenë ndeshje të interpretuara shumë mirë, me mobilizim dhe atmosferë pozitive. Rezultatet nuk janë të rastësishme”, deklaroi Duka.

“Është një ekip i përgatitur mirë, ka një trajner shumë të mirë dhe është shumë e rëndësishme që ka një atmosferë shumë pozitive rreth ekipit dhe gjithkund në Kosovë. Atmosfera rreth ekipit kombëtar te ne nuk ka qenë shumë e mirë kohët e fundit, jo vetëm në shkallët e stadiumit, por në përgjithësi. Kur shkuan në Europian nuk kishim ku t’i akomodonim VIP-at dhe politikanët, kurse sot asnjë nuk na vjen në stadium. Një ekip modest ka nevojë për mbështetje maksimale dhe atmosferë pozitive nga të gjithë”.

“E vuajmë ndarjen? Patjetër, sepse nëse do të ishim më shumë, do të kishim më shumë alternativa. Disa nga kualitetet e Kosovës mbase do të ishin pjesë e Shqipërisë, por ky është një fakt dhe nuk mund të merremi më të analizojmë apo ta ç’bëjmë”.

“Ne duhet të mësohemi dhe të jetojmë me këtë realitet dhe të ndërtojmë dy skuadra kompetitive. Edhe Spanja do të vuante po të ndahej Katalonia, si ne nga Kosova”, shtoi ai.