Duka uron Vokrrin me porosinë: “Ky është viti juaj”

 Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar rizgjedhjen e Fadil Vokrrit për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.

I pari i futbollit shqiptar i ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e fuqishme të institucionit të tij për futbollin kosovar.

“I dashur, miku im Fadil Vokrri! Duke të uruar për rizgjedhjen në postin e Kryetarit të FFK, dëshiroj që të konfirmoj mbështetjen e pakufijshme për veprimtarinë e frytshme në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Një mbështetje të cila vlen për emrin që ke lënë në futboll dhe për institucionin që ju drejtoni”, thuhet në urimin e tij, përcjell GazetaOlle.com.

Sipas Dukës, ky vit është i veçantë për futbollin tonë. “Ky vit, do të jetë krejtësisht i veçantë për futbollin e Kosovës. Po punojmë shumë së bashku dhe urojmë që shumë shpejt, të jeni pjesë e institucioneve më të rëndësishme të futbollit botëror. Kjo do të jetë një festë për të gjithë shqiptarët”, tha ai.

 

Komplet urimi i Armand Dukës:

 

Të nderuar, përfaqësues të futbollit të Kosovës!

Të nderuar ,të zgjedhur në organet drejtuese të FFK!

I dashur Kryetar i FFK, Fadil Vokrri!

Të dashur vëllezër!

Më lejoni që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, të sjell urimet më të mira për zhvillimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës së Futbollit të Kosovës. Duke e konsideruar zhvillimin e futbollit kosovar dhe ndërtimin e strukturave të qëndrueshme të tij, si një prioritet të strategjisë tonë të bashkëpunimit, ju garantoj se gjithmonë do të jemi krah jush. Ju gjithmonë dhe në çdo rast, do të keni mbështetjen tonë. Të pakufij, të sinqertë dhe padyshim vëllazërore. Ajo është një nga prioritetet tona më të rëndësishme për komunikimin, nxitjen dhe bashkëpunimin tonë me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Asambleja juaj e fundit, ishte një tjetër mundësi që ju treguat para opinionit dhe mediave, dimensionet tuaja potenciale. Atë të institucionit që drejtoni dhe të garancive që jepni, si një Federatë e denjë për të hyrë si anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.

 

I dashur, miku im Fadil Vokrri!

Duke të uruar për rizgjedhjen në postin e Kryetarit të FFK, dëshiroj që të konfirmoj mbështetjen e pakufijshme për veprimtarinë e frytshme në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Një mbështetje të cila vlen për emrin që ke lënë në futboll dhe për institucionin që ju drejtoni.

Ky vit, do të jetë krejtësisht i veçantë për futbollin e Kosovës. Po punojmë shumë së bashku dhe urojmë që shumë shpejt, të jeni pjesë e institucioneve më të rëndësishme të futbollit botëror. Kjo do të jetë një festë për të gjithë shqiptarët.

Pikërisht këtë të uroj, miku im Fadil Vokrrri dhe miqve të tjerë të futbollit kosovar.

 

Me respekt

Armand DUKA

President i FSHF