Duka ‘shpërthen’ ndaj ish-trajnerit të Shqipërisë: Pas çdo ndeshjeje pati tensione

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një tjetër intervistë për mediat italiane, këtë herë për gazetën Tuttosport.

Pas intervistës që Duka dha për Gazzeta Dello Sport dhe foli për Christian Panuccin, jo me fjalë të mira, këtë herë edhe në intervistën e tij të dhënë për Tuttosport, nuk ka pasur gjëra pozitive për të thënë.

“Në zgjedhjen e Panuccit kam gabuar tërësisht dhe u kërkoj falje tifozëve. Për ne Kombëtarja është gjëja më e rëndësishme dhe ai e shkatërroi skuadrën”.

“Ai është një njeri me konflikt: Ai kurrë nuk do të jetë trajner. Pas çdo ndeshjeje pati tensione me shtypin, ajo krijoi çarje në ekip”.

“(Panucci) nuk mendon për futbollin, por vetëm për paratë. Kur e njoftova për shkarkimin, menjëherë më tha që do të pretendonte edhe qindarkën e fundit. Nuk është çështje ekonomike, por korrektësi etike”, citohet të ketë thënë Duka, transmeton KP.

Më tej ai ka folur për Edy Rejan teksa është shprehur: “Reja ishte pak i dyshimtë në fillim, kështu që Tare e thirri dhe e bindi që të bëhej trajneri i Shqipërisë. Kemi një projekt të mirë dhe objektivi është që të marrim pjesë në Evropianin e vitit 2024”.