Duka: Futbolli nuk do të ndalet edhe po pati lojtarë të infektuar

Të shumta kanë qenë pikëpyetjet këtë periudhë për sa i përket rifillimit të kampionatit, pas pezullimit afro tremujor.

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që Kategoria Superiore të rifillojë në datën 3 qershor, ndërkohë që Kategoria e Parë dhe e Dytë të rifillojnë më 7 qershor. Por çfarë do të ndodhë në rast se një futbollist apo pjesëtar i stafit, rezulton pozitiv me COVID-19.

Në një prononcim për “RTV Dukagjini”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sqaroi se futbolli nuk do të ndalet edhe nëse ka ndonjë të infektuar tek tuk, teksa ai do të izolohet në shtëpi, ndërkohë që aktiviteti do të vazhdojnë. Kuptohet që nëse numri i të infektuarve është i lartë, atëherë zhvillimi i aktivitetit sportive, bëhet i pamundur.

“Uroj që asnjë qytetar apo pozitiv mos rezultojë i prekur me Koronavirus. Agresiviteti ka rënë. Do marrim të gjitha masat, që edhe nëse dikush preket, virusi të mos përhapet, pra të respektojmë ato që kemi propozuar në protokoll dhe udhëzimet e dhëna nga ekspertët. Do testojmë nëse ka shenja. Nëse ndodh, kampionati sërish do të rinisë. Thjesht do të izolojmë futbollistin e prekur. Ndërprerja është e dëmshme. Duke menduar dëmin që shkaktohet, është më mirë të kthehemi në fushë”, deklaroi veç të tjerash presidenti Duka.