Duka flet para vendimit të CAS-it

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lausanës do t’i vendosë kapakun çështjes së shumëdiskutuar të ngjarjeve të Bogradit nga ku Shqipëria doli e gjymtuar si nga fusha ashtu edhe nga vendimi i komisioneve të UEFA-s.

Në datën 17 prill, instanca e fundit e zinxhirit vendimmarrës do të vendosë për fatin e sfidës së ndërprerë në minutën e 42-të e cila më pas u quajt e fituar nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Apelit të UEFA-s. Për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin Armando Duka, janë të gjitha mundësitë që CAS-i të marrë një vendim të drejtë, çka do të thotë në favor të Kombëtares Shqiptare.

“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lausanës është shumë i rënësishëm. Shpresoj që të kemi një gjykim sa më objektiv dhe sa më të favorshëm për Shqipërinë. Kemi marrë masat që të përgatitemi sa më mirë. Në seancë do të jetë i pranishëm avokati jonë, unë, trajneri De Biasi, kapiteni dhe specialistë të fushës. Shpresoj në një vendim pozitiv”.

Numri 1 i federatës iu përgjigj më pas edhe pyetjes së Sport News në lidhje me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Mali i Zi-Rusi dhe sa mund të ndikojë ky vendim në  atë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.

“Vendimi i UEFA-s për Rusinë është një argument që ne do ta paraqesim. Do t’i bëjmë me dije CAS-it se vendimi i marrë për Rusinë tregon një qëndrim me dy standarte. Ngjarjet e Malit të Zi ishin shumë pak më të rënda se ato të Serbisë. Besoj se duhet ta marrin parasysh si një precedent”.