Drita gati për fazën e tretë: Nuhiu komenton kundërshtarët!

Skuadra që më së shumti ia rrezikon momentalisht vendin e parë Ballkanit është Drita e Gjilanit, e cila tash është në pozitën e dytë dhe vetëm një pikë mbrapa.

Kjo ka bërë që entuziazmi në skuadrën gjilanase, sidomos pas fitores ndaj Prishtinës, të rritet maksimalisht dhe me të drejtë e synojnë titullin e kampionit.

Drita nesër ballafaqohet me Flamurtarin në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës, skuadër kjo që javën e kaluar e mposhti Ballkanin duke treguar që është rival shumë i fortë dhe mund t’ju sjellë telashe edhe emrave të mëdhenj që e pretendojnë titullin.

Megjithatë, gjilanasit duket se po qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të kujdesshëm po e presin ndeshjen e radhës në të cilën vetëm fitorja i kënaq.

“Për ne ishte shumë e rëndësishme fitorja kundër Prishtinës, por është e qartë se kemi edhe 11 ndeshje për të luajtur, prandaj rruga është ende e gjatë”, ka thënë për Zëri trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu i cili duket se tashmë ka arritur ta krijojë atë filozofinë e lojës që kërkon.

“Drita po i afrohet asaj që unë dëshiroj, me shumë energji, agresivitet dhe me shumë cilësi në lojë. Sa i përket Flamurtarit, është kundërshtar i papërshtatshëm. Ndeshjen e fundit e fitoi dhe kjo tregon se duhet të jemi të kujdesshëm. Mendoj që ekipi im është gati të përballet me kundërshtarin e radhës, të menaxhoj ndeshjen në mënyrën më të mirë për të marr maksimumin”, ka përfunduar tekniku i gjilanasve, Ardian Nuhiu.

Ardian Nuhiu (Foto: Hilmi Veliu, Gazeta Olle)