Drita dy përforcime nga jashtë

Ka dy stinorë që Drita siguron ekzistencën në elitë fare në fund përmes barazhit, por në bazë të asaj që po ndodh në klub, kjo nuk duhet t’i ngjajë më.

Në fakt, e thonë edhe zyrtarët e klubit, sipas të cilëve Drita do të luftojë për pjesën e epërme të tabelës, shkruan sot Koha Ditore.

Skuadra gjilanase i është nënshtruar së fundi një organizimi të thellë. Gjatë javës së shkuar, emëroi kryesinë e re, e cila brenda pak ditëve ka transferuar gjashtë përforcime për edicionin 2016/17 të Superligës së Kosovës në futboll.

Alban Dragusha, Semir Zeneli, Viktor Kuka, Alban Mavriqi e Toni Salihu janë goditjet e kryesisë në krye me kryetarin Valon Murseli. Që të gjithë firmosën kontrata njëvjeçare. Pos përforcimeve, është vazhduar bashkëpunimi edhe me shumicën e lojtarëve që ishin pjesë e skuadrës në edicionin e shkuar. Por, kjo nuk është e tëra. Kryesia e klubit po synon të paktën edhe dy futbollistë deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës.

Drejtori i Dritës, Feti Murseli, ka thënë të hënën se dy transferimet e ardhshme nuk janë nga Kosova.