Drejtuesit e KOK-ut vizituan ekipin Olimpik të xhudos dhe Qendrën Nacionale të xhudos

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë vizituar sot ekipin Olimpik të xhudos, që prej më shumë se dy muajsh është vetë karantinuar.

Drejtuesit e KOK-ut u pritën nga kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, trajneri Driton Kuka dhe ekipi Olimpik.

Presidenti Hasani, duke iu uruar shëndet ekipit Olimpik, përgëzoi krerët e federatës dhe të ekipit për vendimin e marrë me rastin e karantimit të xhudistëve, pas përhapjes së pandemisë Covid 19.

Presidenti Hasani duke vlerësuar lartë angazhimin dhe punën që po bënë trajneri Driton Kuka, u kumtoi ekipit Olimpik vendimin e BE të KOK-ut, që t’iu mbulohen gjysma e shpenzimeve të karantinimit.

Ekipi Olimpik u ftua për të marrë pjesë në seminarin për shëndetin mental dhe programin për shkathtësi me ekspertë ndërkombëtar të organizatës Optimization HUB.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, duke i falënderuar për vizitën vlerësoi lartë përkrakhjen e KOK-ut dhe MKRS-s, duke shtuar se për ekipin Olimpik karantinimi prej 10 javësh nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi është dashur të ndahen nga familja.

Trajneri Driton Kuka theksoi se xhudistët janë përgatitur mirë, dhe se krahas olimpistëve elitarë, në sipërfaqe do të dalin edhe sportistë tjerë.

Më pas, KOK vizitoi edhe Qendrën Nacionale të xhudos, e cila ka filluar së ndërtuari dhe që është mbështetur financiarisht nga FXHK dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport.