Drejtori i Zvezdës e quan fitore “diplomatike” ndalimin e tyre nga Policia e Kosovës

Ndeshja e paraparë të zhvillohet sot mes skuadrës serbe të ashtuquajtur Trepça dhe Crvena Zvezdës në Mitrovicë është anuluar.

Në kuadër të fazës 1/16 në Kupën e Serbisë, ndeshja është paraparë të zhvillohet sot në Mitrovicë, shkruan Zëri.info.

Përkundër insistimit të vazhdueshëm të serbëve, institucionet e rendit kanë kthyer mbrapa autobusin me futbollistët e Crvena Zvezdës nga pika kufitare në Jarinjë për t’u futur në Kosovë.

Pas gjithë kësaj ka reaguar klubi beogradas përmes drejtorit të Zvezdës, Zvezdan Terzic, në rrjetin social “Facebook” duke aluduar se ndeshja kishte qëllim vetëm promovimin e sportit.

“Ndeshja e Kupës së Serbisë mes Trepçës dhe Crvena Zvezdës e paraparë të zhvillohet sot nga ora 14:00 në Kosovë nuk zhvillohet. Klubi ynë u ndalua të hyjë në Kosovë. Kemi ardhur për një luajtur një ndeshje, për të luajtur futboll dhe për të bërë sport, megjithatë ne jemi ndaluar. Përveç rekomandimeve, ndeshja nuk zhvillohet. Kur erdhëm në pikën kufitare, Policia e Kosovës erdhi dhe na tha se e kemi të ndaluar të hyjmë në territorin e Kosovës. Në pyetjen tonë: Pse ky vendim? Ata na thanë është një vendim i Qeverisë së Kosovë dhe ata nuk dhanë shpjegim shtesë. Ne donim të bënim futboll në krahinën jugore të Serbisë, por kjo na është bllokuar. Më vjen keq ndaj popullit tonë. Ndoshta kjo ndeshje do të zhvillohet nesër, do ta shohim saktësisht se ku. Jam krenar për tifozët tanë, ata treguan se Crvena Zvezda është Serbia. Kjo është fitore diplomatike e Serbisë”.