Drejtori i klubi kosovar i zbulon pagat e lojtareve te ekipi i tij

Gjërat do të ndryshojnë tash e tutje në klubin e volejbollit Prishtina F. që garon në elitën e volejbollit të Kosovës.

Klubi nuk do ta ketë më statusin e amatorit por do të kalojë në profesionalizëm dhe janë caktuar edhe rrogat mesatare.

Drejtori i Prishtinës F, Mehdi Mehmeti, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se përveç që ka caktuar rrogat sa do t’i kenë volejbollistet, pritet të ketë edhe ndryshime në Shtabin Teknik.

“Do të jemi klub profesional, nuk ka me pas lojtare pa pagesë, rroga mesatare do të jetë 250 deri 300 euro për lojtare profesionale, por që ekziston ndonjë lojtare me kualitet nga jashtë që mundet me arritur rrogën më të madhe se këto. Të gjitha do të jenë të lidhura me kontrata. Kemi hapur derën edhe për lojtare tjera vendore të cilat janë të interesuara që t’i bashkohen Prishtinës. Klubi do t’i posedojë deri 10 lojtare profesionale me pagesë. Ka kaluar koha që kemi punuar deri me tani në mënyrë amatore, tash me aprovimin e ligjit mbi sportin, jemi në biseda me disa kompani serioze, së shpejti do të shihet se si do të rrjedhin gjëra”, ka deklaruar Mehmeti, përcjell Bota Sot.

“Komuna e Prishtinës na ka dhënë subvencione 10.000 euro, 5.000 tani i kanë lëshuar në xhirollogari dhe 5.000 i lëshojnë në muajin shtator. Vitin e kaluar kemi pasur subvencione vetë, 3.000 euro. Në fundjavën tjetër, do të mblidhet kryesia dhe do të emërohet kryetari i ri, do të përcaktohemi edhe për Shtabin e ri Teknik”, tha Mehmeti.

“Sipas të gjitha gjasave kryetrajnerja Ganimete Gërbovci, e cila është shumë e angazhuar me punë, është mendimi ynë, i kryesisë së ngushtë, që postin e kryetares t’i ofrohet asaj. Ajo do të ishte përzgjedhja më e mirë”, ka përfunduar Mehmeti.