Dorëheqje apo shkarkim? Ja vendimi i Mirel Josës pas vitit të dytë pa titullin kampion

“A do të japë dorëheqje Mirel Josa pasi që Prishtina nuk e fitoi titullin?”.

Kjo është pyetja më e shpeshtë në opinionin sportiv që prej disfatës së bardhekaltërve në Drenas, ku Feronikeli fitoi me lojë e rezultat dhe u stolis me titullin e tretë kampion.

Ishte një humbje e rëndë për Josën, aq sa nuk pati guxim të dalë as para mediave për të komentuar sfidën.

Megjithatë, tekniku tiranas ka ruajtur qetësinë pas këtij dëshpërimi të madh.

Gazeta Olle mëson përmes burimeve pranë klubit prishtinas se Josa nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.

Më saktësisht, e ardhmja e tij do të bëhet e ditur pas mbledhjes së përbashkët me kryesinë e klubit, ku do të bëhen llogaritë e një sezoni tjetër që e la pa trofeun e cmuar Prishtinën.

Aty palët pritet të gjejnë një akord të përbashkët dhe të vendosin mbi të ardhmen e bankinës bardhekaltër.

Josa ka kontratë edhe dy vite tjera me Prishtinën.

Ndryshe, pos dështimit për të fituar titullin kampion, tiranasi është kritikuar jo pak edhe për stilin e lojës së Prishtinës, që edhe këtë edicion ka dështuar t’i argëtojë tifozët me lojën e bukur. /Gazeta Olle/