Djemtë më të mirë të vendit sot në aksion, sfidojmë Gjibraltarin në miqësoren e “Fadil Vokrrit”

Është dita kur djemtë më të mirë të vendit zbresin në “Fadil Vokrri” për të djersitur fanellën e Kosovës.

Kombëtarja e drejtuar nga Bernard Challandes sfidon Gjibraltarin në miqësoren që do t’i shërbejë ekipit para sfidës ndaj Malit të Zi, përcjellë Gazeta Olle.

Takimi fillon prej orës 18:00 dhe edhe pse është ndeshje miqësore, entuziazmi është jo i vogël.

Në stërvitjen e fundit Challandes ka provuar disa skema të lojës, teksa ka paralajmëruar se kundër Gjibraltarit do t’i japë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur më pak në ndeshjet e deritashme, por edhe që kanë pasur më pak minutazh në klubet e tyre.

“Ndeshja me Gjibraltarin është një mundësi e mirë për ne si ekip dhe për secilin lojtar. Nuk e konsideroj thjesht një miqësore, por një mundësi të mirë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen kundër Malit e Zi”.

“Pres që të gjithë lojtarët të jenë seriozë, agresivë dhe ta japin maksimumin për aq minuta sa do të jenë në fushë. Kush nuk e jep maksimumin do të ketë telashe”, ka theksuar Challandes, i cili e respekton kundërshtarin e sotëm.

“Gjibraltari ka organizim të mirë dhe një trajner të mirë nga Uruguai. Është ekip që lufton, nuk është e lehtë për ne. Është e vërtetë se kanë humbur thellë kundër Zvicrës, por golin e parë e pësuan vetëm në fund të pjesës së parë”.

“Ndërkaq, kundër Irlandën pësuan një autogol dhe golin e dytë vetëm në minutat shtesë. Në këtë ndeshje mund të shoh se çfarë mund të bëjnë disa lojtarë që nuk kanë pasur hapësirë deri më tash”, ka shtuar Challandes, i cili ka thënë se do t’i qëndrojnë besnik filozofisë së lojës.