Ditëlind Reshiti, mjeshtri i golave!

Klubi i Futbollit Opoja, i cili bën gara në Ligën e Dytë (Grupi A) të kampionatit të Kosovës, mund të krenohet me faktin se në ekip ka një golashënues, i cili shënon në çdo ndeshje. Numri 9 dhe kapiteni i klubit të vetëm sportiv në komunën e Dragashit, Ditëlind Reshiti, ka shënuar pothuajse në çdo ndeshje të paktën nga një gol, pavarësisht rezultateve jo shumë të kënaqshme të ekipit të tij.

Ditëlindi, i cili e udhëheq listën e golashënuesve në Ligën ku bën gara ekipi i tij, në 14 takime të zhvilluara deri më tani ka shënuar 18 gola, tetë nga të cilët i ka shënuar në pesë takimet e stinorit pranveror. Një herë katër, një herë tre, dy herë nga dy dhe shtatë herë nga një gol, u’a ka shënuar kundërshtarëve Ditëlind Reshiti, duke mos lënë asnjë stadium të ligës ku bën gara pa shënuar.

Në të shumtën e rasteve qendërsulmuesi i Opojës ka shënuar gola spektakolar, duke i bërë që ta duartrokasin edhe publiku e lojtarët kundërshtar.

Edhe në sezonin e kaluar (2013/14) nga 22 ndeshje kapiteni i Opojës kishte shënuar 24 gola, duke qenë një nga golashënuesit më të mirë të ligës.

“Kushtet dhe perspektiva në futbollin e Kosovës më bënë që për dy vite t’i ndaj rrugët me futbollin profesionist, por Opoja më bëri që përsëri të filloj ta luaj sportin më të bukur në botë edhe pse në Kosovë i mungon ajo bukuri për shkak të kushteve”, shprehet Ditëlindi i cili për katër vite kaloi ekipet zinxhir të shkollës së futbollit Liria nga Prizreni.

Opoja do të vazhdoj të shënoj gola përderisa në fushë zbret Ditëlindi, i cili që nga java e tretë e sezonit kaluar, kur edhe filloi të luaj për këtë klub, nuk ka munguar asnjëherë në asnjë ndeshje duke luajtur vazhdimisht si titullar.