Ditë historike për FEFS

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS), ka shënuar 38 vjetorin e themelimit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, ka veçuar punën e mirë që ka bërë Fakulteti i Edukimit Fizik, i cili sidomos në vitet e fundit, përkundër mungesës së hapësirës dhe rritjes së numrit të studentëve, ka pasur rezultate shumë të mira.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, ka përmendur rëndësinë e themelimit të këtij fakulteti 38 vite më parë, duke veçuar kontributin e dekanit të parë të këtij fakulteti Bardhyl Zajmi.

Selimi poashtu ka përmendur bashkëpunimin e mirë që ky fakultet ka arritur ta ndërtojë me fakultetet homologe në rajon e më gjerë, duke qenë pjesë e programeve të ndryshme botërore, nga të cilat kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë studentët e këtij fakulteti.

Për fillet e themelimit të këtij Fakulteti, ka folur edhe profesor Arsim Fehmiu, i cili theksoi se 38 vite më parë, Fakulteti i Kulturës Fizike në atë kohë, u bë i 10-ti që u hap në kuadër të Universitetit të Prishtinës, pikërisht kur ky universitet festonte jubileun e 10-të.

Para të pranishmëve ka folur edhe profesori amerikan Cooper, njohës i mirë i lëndës së edukimit fizik dhe sportit, i cili i ka përgëzuar drejtuesit dhe studentët e këtij fakulteti për arritjet që ka pasur në këto vite dhe bashkëpunimin e mirë të ndërtuar me Universitetet jashtë Kosovës.

Në pjesën e dytë të kësaj ceremonie u bë Promovimi i punimit të doktoraturës së profesor Aziz Dujaka, punimi i së cilit tashmë është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën angleze dhe gjuhë tjera, duke iu ofruar lexuesve në mbarë botën nga shtëpia botuese “Lambert”. Në fund, dekani Musa Selimi ka ndarë mirënjohje për protagonistët kryesorë që kontribuuan në këto 38 vite të ekzistimit të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit.

845X486530527_fakulteti