Disa merren me piceri, ka ushtarak, elektricistë…

Ushtarakë, pronarë picerish, punëtorë administrate…Këto janë disa nga profesionet e dyta të trajnerëve aktual të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Gazeta ‘Olle’ sjell disa nga profesionet e dyta të trajnerëve kosovarë.

Afrim Tovërlani – Feronikeli

Trajneri i mirënjohur kosovar, Afrim Tovërlani, njihet për përgatitjen e mirë që u bën skuadrave dhe taktikat gjatë lojës.

Nëse keni menduar se ‘Toki’ di të merret vetëm me futboll, atëherë jeni gabim. Trajneri nga Prishtina është ekspert edhe për përgatitjen e picave, me disa ‘taktika’ të veçanta. “Kohëve të fundit nuk jam duke u marrë shumë me piceri. E kam picerinë në Prishtinë, e cila është e para në Kosovë me furrë të drurit, që nga viti 1991, e kam fjalën si piceri. Një gjë e di sigurtë: Piza më të mira se sa unë në Kosovë, vetëm vëllai im i madh di të gatuajë “, ka thënë për Gazetaolle.com, Afrim Tovërlani.

Ky i fundit është një ndër trajnerët më të suksesshëm në histori të futbollit kosovar. Tovërlani e ka titullin profesor pasi që e ka mbaruar Fakultetin e Edukatës Fizike.

Arbnor Morina – Gjilani

Vite më parë, trajneri Arbnor Morina, sikurse kolegu i tij, Afrim Tovërlani e ka menaxhuar një piceri e të cilën ia ka rrëzuar Komuna e Prishtinës.

Morina është ekonomist i diplomuar dhe teknik-laborant i biologjisë, por merret vetëm me futboll. “Duhet me qenë profesionist i vërtetë e jo me i kryer tri ose katër punë. E kemi proklamuar profesionalizimin, duhet me qenë profesionist e jo ‘supermen’”, pohoi Morina.

Tahir Batatina – Llapi

Njihet si shumë strikt në punën e tij si trajner futbolli.

E, ndoshta një gjë të tillë e ka fituar edhe nga Akademia Ushtarake në të cilën është ligjërues.

Tahir Batatina e ka edhe një firmë private që merret me ndërtimtari dhe një restorant. “Përpos futbollit, i menaxhoj 30 punëtorë në firmën e ndërtimtarisë dhe 12 punëtorë në restorant”, deklaroi Batatina.

Genc Hoxha – Pa klub

Kohë më parë, Genc Hoxha, ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Tash e një kohë, Hoxha ka dhënë dorëheqje nga KEK-u për t’iu përkushtuar sportit, konkretisht futbollit.