Dinamo e pati ‘spiunin’ e saj në Superkupën e Shqipërisë

 Dinamo e Zagrebit dërgoi njeriun e saj në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, ku kundërshtari i tyre në fazën Play Off të Ligës së Kampionëve, Skënderbeu, pësoi humbje nga Laçi.

Korçarët u mposhtën me penallti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan, 2:2.

Në stadiumin ‘Qemal Stafa’, ishte ndihmëstrajneri i Dinamos, Igor Cvitanoviç, të cilit duket se nuk i ka pëlqyer shumë formacioni me të cilin luajti Mirel Josa.

Ata luajtën pa nëntë lojtarë të përbërjes së parë. Vetëm dy e filluan ndeshjen dhe tre të tjerë hynë si zëvendësues. Dhe, vetëm kur hynë ata në lojë, Skënderbeu filloi të luajë futboll serioz”, deklaron Cvitanoviç për ‘Sportske Novosti’, shkruan GazetaOlle.com.

Loja e tyre nisi keq, por më pas e dominuan pjesën e dytë dhe në fund humbën vetëm me penallti”, komenton kundërshtarin e Dinamos, Cvitanoviç.

Sipas tij, Skënderbeu luajti futboll sulmues 4-4-2, ndërsa kundër kundërshtarëve evropianë luan me sistemin 4-1-4-1. Por, cili është krahasimi që Cvitanoviç bënë me Molden, të cilën e mposhtën zagrebasit para se të vijnë deri këtu?

“Molde ka ekip më të disiplinuar, gjë që nuk është befasi marrë për bazë klimën se nga vijnë. Shqiptarët janë më të prirur për zgjidhje individuale dhe kjo është diçka që ne duhet të na bëjë më të vetdijshëm”.

Trajneri kroat thekson se Skënderbeu mposhtet nëse lojtarët e Dinamos i marrin seriozisht. “Kjo është ndeshje shumë serioze dhe nuk duhet të hyjmë me mendimin ‘ne mund të fitojmë lehtë’”. Pra, nuk ka asnjë ekip në botë kundër të cilit ju mund të merrni lojën të lehtë”, përfundoi Cvitanoviç. /Gazeta Olle/