Di Maria shokon tifozët e Unitedit

Vetëm 7 muaj nga transferimi i tij në “Old Trafford” për shumën marramendëse 75 milionë Euro, Angel Di Maria po planifikon largimin nga Manchester United. Sipas burimeve pranë argjentinasit, arsye e këtij qëndrimi të 27-vjecarit është mënyra e menaxhimit të skuadrës nga Louis Van Gaal. Di Maria e nisi mirë sezonin me Djajtë e Kuq, duke shënuar 3 gola dhe dhënë 6 asist në 10 ndeshjet e para në Premier League, por efektiviteti i tij me kalimin e muajve ka rënë në maksimum. Për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion nga Van Gaal, madje duke i aktivizuar lojtarët jo në pozicionet e tyre natyrale, argjentinasi ka humbur besimin. Krisja mes trajnerit dhe lojtarit arriti pikën kulminante kur Di Marias dikush nga stafi teknik i tha se Van Gaal kishte qenë i detyruar ta blinte pas dështimit të tratativave me Juventusin për kartonin e Arturo Vidal.

Për Di Marian vazhdon të ketë interes nga ana e Paris Saint Germain, madje verën e kaluar klubi francez u detyrua të hiqte dorë për ish-futbollistin e Realit vetëm për shkak të rregullave të Fair Play-t Financiar.

Di Maria pëlqehet në Premier League nga Manchester City, por vetë lojtari është i bindur se United nuk do ta lejojë të transferohet te rivalët ndërqytetas. Edhe pse Van Gaal është shprehur pro largimit të Di Marias, një qëndrim të kundërt ka mbajtur Shefi Ekzekutiv i Djajve të Kuq, Ed Wooduard. Gjithsesi divorci në fund të sezonit duket i pashmangshëm.