Dhimbje koke për Challandesin, lëndohet edhe Shala

Herolind Shala është lojtari i fundit i lënduar te Përfaqësuesja e Kosovës dhe do t’i mungojë Dardanëve në dy ndeshjet e ardhshme eliminatore për Euro 2020.

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i luajë gjatë muajit qershor dy ndeshjet e radhës të vlefshme për eliminatoret e Euro 202 për Grupin A.

Dardanët do të luajnë të dy ndeshjet në udhëtim, ku e para është me 6 qershor me Malin e Zi, ndërsa e dyta te Bullgaria me 10 qershor.

Megjithatë, trajneri Bernard Challandes do të ketë kokëdhimbje shkaku i mungesave të shumta.

I fundit që është lënduar te Kosova është mesfushori Herolind Shala, i cili është edhe kapiten i tretë i ekipit përfaqësues.

Shala ka lënduar muskulin e këmbës në stërvitje me skuadrën e tij norvegjeze, Valerenga, dhe do të bëhet mungesa e tretë pas Valon Berishës dhe Hekuran Kryeziut.

Mesfushori luftarak, i cili është njëri nga më të pëlqyerit e tifozëve të Kosovës ka kryer kontrollet e para dhe pritet të mungojë 2-3 javë.