Dënimi selektiv dhe 7 ndeshjet e fundit: Ja prapaskenat që çuan te “divorci” Ballkanin dhe Sermaxhajn

“Kryesusit e klubit nuk kanë qenë të kënaqur me ecurinë e rezultateve të fundit, por po ashtu unë pas lojës së fundit nuk jam pajtuar me propozimet e tyre mbi masat disiplinore ndaj lojtarëve, kështu që vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin”.

Kjo ishte deklarata e Sami Sermaxhajt sot, i cili përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ka sqaruar arsyet e largimit nga Ballkani.

Duke treguar që nuk dha dorëheqje, pasi që ishte ende brenda objektivave të klubit, Sermaxhaj konfirmoi edhe masat disiplinore që klubi i kishte përgatitur për futbollistët.

Prishtinasi nuk është pajtuar me to dhe kjo është një prej arsyeve se pse palët u “divorcuan” sot.

Kryetari i klubit, Florim Kryeziu, ka sqaruar situatën për gazetën.

Ai ka konfirmuar që Ballkani kishte bërë gati një dënim selektiv, që do të thotë se masat disiplinore do të merreshin për disa lojtarë të ekipit e jo të gjithë skuadrës.

“Masa disiplinore ka pasur dhe do të ketë te Ballkani. Kësaj radhe do të dënoheshin disa futbollistë dhe jo të gjithë”, deklaroi Kryeziu për Gazetën Olle.

“Ne si klub nuk kemi qenë të kënaqur me rezultatet e ekipit në shtatë ndeshjet e fundit”, shtoi ai, duke folur për ndarjen me Sermaxhajn.

Trajneri i ri i Ballkanit pritet të jetë Gani Sejdiu, ani pse klubi nga Theranda nuk e ka zyrtarizuar akoma atë. /Gazeta Olle/