De Biasi: Xhaka dhe Gashi, të denjë për Fiorentinën

Kur është koha për motivim, Gianni De Biasi është gjithmonë aty. Tekniku italian i Kombëtares së Shqipërisë ka thënë fjalë të mëdha për Taulant Xhakën dhe Shkëlzen Gashin, të cilët mund të transferohen te skuadra italiane e Fiorentinës.

Duke i lartësuar dy futbollistët e kombëtares, De Biasi thekson që ata mund të jenë goditje të mëdha të klubit vjollcë në afatin kalimtar të verës.

“Sa i përket Xhakës, ai është një xhoke që luan në mbrojtje dhe mesfushë, ku mund të mbulojë disa role, si mbrojtës anësor në linjën me 4, në të djathtë dhe në të majtë si dhe mbrojtës qendre në linjën me tre. Ai është një motor i pashtershëm dhe një pikë e fortë, si në Kombëtare ashtu edhe te Baseli. Ai është më se i gatshëm që të luajë në Serie A, pasi që loja dhe fiziku i tij mund të bëhen shumë të rëndësishme për Fiorentinën apo për ndonjë skuadër tjetër italiane”, deklaroi De Biasi.

Ai komentoi edhe për sulmuesin Shkëlzen Gashi, duke e konsideruar kosovarin si një sulmues që e ka golin në gjak.

“Shkëlzen Gashi vitin e kaluar me fanellën e Grasshopers ishte golashënuesi më i mirë i Superligës së Zvicrës, duke shënuar 19 gola, për t’u shpallur më pas futbollisti më i mirë i kampionatit. Këtë vit Souza e ka përshtatur si anësor të majtë, por unë e shoh më mirë në të djathtë, pasi duke qenë një mëngjerash natyral, mund ta godasë me lehtësi portën. Golin e ka në gjak. Edhe ai mund të jetë një blerje e goditur e Fiorentinës”, shtoi De Biasi.

Muaji korrik pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e dy kosovarëve, të cilët kërkohen me çdo kusht nga ish-trajneri i tyre te Baseli, Paolo Sousa, i cili tani është në prag të zyrtarizimit si trajner i Fiorentinës. /Olle