De Biasi vazhdon të “qajë”: Ky person s’më la të bëhem trajner i Italisë

Gianni De Biasi ndalet sërish te rasti i humbur për t’u bërë trajner i Italisë. Madje kësaj here, tekniku kuqezi ka shkuar edhe më tej duke thënë se e di personin që ndërhyri në vendimin e Federatës Italiane për të zgjedhur Xhampiero Venturën si pasues të Antonio Kontes pas Kampionatit Europian.

“Isha një hap larg emërimit si trajner i Italisë. E di kush ishte ai që më vuri shkopinj në rrota. Është një person i vetëm”, deklaroi 60-vjeçari për “Radio TMW”, megjithatë duke mos e zbuluar emrin e personit në fjalë.

Më tej De Biazi foli edhe për humbjen 3-0 ndaj Izraelit të shtunën e shkuar: “Jam ende i tronditur, shpresoj ta rimarrim veten shpejt. Në fillim të kualifikueseve e dinim se do ta kishim tepër të vështirë, sepse Italia dhe Spanja janë ekipe cilësore. Ventura po punon me një skuadër të re e cila mund të bëjë mirë në të ardhmen. Kundër Italisë do të kem një stimul më shumë për të bërë mirë. Shumica e shqiptarëve bëjnë tifo për Italinë si skuadër të dytë. Shpresoj të bëjmë më mirë se herën e fundit”.

De Biazi nuk i kurseu as këtë herë fjalët e ëmbla për mbrojtësin e Napolit, Elseid Hysaj: “Ka qenë përherë shumë i zoti taktikisht. Mund të mbrojë e të sulmojë, është vetëm 22 vjeç dhe mendoj se mund të përmirësohet më tepër”.

Në fund, një mendim për derbin e së dielës mes Milanit dhe Interit: “Nuk po i shkul flokët nga padurimi i pritjes, le të themi që kjo ndeshje nuk po më lë pa gjumë. Do ta shoh, me shpresën që të mos jetë një ndeshje e mbyllur nga të dyja skuadrat. Përballja është e rëndësishme për të dy ekipet; Milanit për t’i dhënë vazhdimësi, Interit sepse do të jetë prova e parë për Piolin. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron të humbë dhe besoj se do të ketë goxha ekuilibër.