De Biasi tregon se çfarë do të ndryshonte me Portugalinë

Me pak dinakëri më shumë mund ta kishim marrë një pikë me Portugalinë…”! Ky është opinioni i De Biasit një javë pasi e kemi humbur në sekondat e fundit duelin me Ronaldon dhe shokët e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kombëtares shqiptare prek shumë tema, edhe ato që kanë të bëjnë me të ardhmen e tij kaq shumë të diskutuar kohët e fundit, por me një diplomaci prej veterani ia kalon “topin” butësisht Dukës për vendimin final. Nuk dëshiron të bëjë asnjë koment mbi deklaratën e kreut të FSHF-së se priste një pozicion më të mirë të Shqipërisë pas ndeshjes me Portugalinë për të nisur negociatat e rinovimit.

De Biasi vendos “të driblojë”, qoftë edhe për të mos i hedhur benzinë zjarrit para një ndeshjeje si ajo me Serbinë. Italiani, ndërkaq, u përgjigjet kritikëve për pozicionin e Gashit dhe revoltohet kur dëgjon të flitet për polemika me Kaçen…

Gjatë ndeshjes me Portugalinë, në pjesën e parë ju pamë që të dilnit të paktën pesë herë nga stoli duke u dhënë udhëzime lojtarëve tuaj. Çfarë nuk shkonte në pjesën e parë?

Ndeshjet i jetoj në simbiozë me futbollistët e mi. Kështu ndodh gjithnjë. Ka momente kur unë kam nevojë të komunikoj dhe u tërheq vëmendjen, pasi kam konstatuar se çfarë ndodh në fushë. Kjo vjen natyrshëm sepse studioj kundërshtarët tanë, por edhe vendosjen tonë në fushë.

Pas ndeshjes, ka pasur kritika se nuk i kryet në kohën e duhur zëvendësimet. Edhe ju gjatë konferencës për shtyp pranuat se mund të kishit bërë diçka më mirë?

Ndeshjet luhen, por më parë studiohen. Sigurisht, gjatë 90 minutave mund të riparosh diçka, por pas përfundimit komentet janë sipërfaqësore dhe mund t’i jepet të drejtë edhe gazetarit që ka pasur turnin për të bërë analizën… Pjesa e dytë e ndeshjes ka qenë e paqortueshme për skuadrën mbi intensitetin që patën në fushë, për shpirtin e sakrificës dhe për cilësinë e lojës që zhvilluan. Nuk pashë askënd pas ndeshjes që të përmendte penalltinë e mohuar ndaj Roshit, që mund të kishte ndryshuar të gjithë ndeshjen!