De Biasi: Po mendojmë vetëm për Danimarkën

Me dy ndeshje vendimtare për fatet e “Euro 2016”, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, këmbëngul që, për të marrë maksimumin, sfidat duhet të merren me radhë. Vëmendja mbetet te Danimarka, ndërsa për Portugalinë puna do të nisë vetëm të shtunën.

Në një prononcim për “Supersport”, De Biazi shprehet: “Para së gjithash, jemi përqendruar vetëm te ndeshja e radhës me Danimarkën. Në këndvështrimin tim, të mendosh edhe për ndeshjen tjetër, do të thotë të shpenzosh energji. Mendoj se në këto momente gjëja më e mirë është të mendojmë vetëm për ndeshjen me Danimarkën, ekipin që do të hedhim në fushë dhe të provojmë të marrim pikë në Kopenhagen. Nëse arrijmë rezultat pozitiv atje, edhe pse koha në dispozicion mbetet e shkurtër, do të kemi një forcë të brendshme për t’u përballur më pas me skuadrën e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo”.

Frika nga shpërqendrimi bëri që stafi teknik të blindonte ditët e para të grumbullimit. Por, prezenca e qindra tifozëve në stërvitjet e hapura shërbeu si motivim për lojtarët. “Besoj se njerëzit që jetojnë larg atdheut, të transmetojnë një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe të bëjnë të ndihesh pjesë e diçkaje të papërshkrueshme kur shohin nga afër idhujt e tyre. Edhe nga pikëpamja morale, kjo mund t’i ndihmojë futboillistët që të përballen edhe me më tepër vendosmëri në sfidën e vështirë me Danimarkën”, – ka shtuar De Biazi.

Trajneri të Kombëtares nuk i pëlqen të flasë për atë që mund të ndodhë, apo të bëjë llogari jashtë fushe. Ashtu si në rastin kur pyetet sa pikë i nevojiten Shqipërisë për të arritur kualifikimin historik në “Francë 2016”, teksa thotë: “Është e vështirë të thuash sa pikë na nevojiten për kualifikimin. Kemi edhe 12 pikë në dispozicion, por nuk është e lehtë t’i marrim të gjitha. Të premten na pret një ndeshje delikate, me një kundërshtar si Danimarka, që ka grumbulluar aq pikë sa ne, por me një ndeshje më tepër. Duhet të paraqitemi ashtu siç kemi bërë gjithmonë. T’i marrim ndeshjet me radhë, të provojmë shanset tona, duke e respektuar rivalin, por të vetëdijshëm për faktin se nëse luajmë si ekip dhe nuk gabojmë, mund t’u krijojmë vështirësi danezëve”.