De Biasi mysafir i Di Canios

Nën ritmet e këngës “Të ka lali shpirt”, e kënduar nga Silva Gunbardhi ft. Mandi ft. Dafi , kanali “Fox Sport”, në emisionin “House of Football” (Shtëpia e Futbollit) i drejtuar nga ish-futbollisti Paolo Di Canio, i ka kushtuar kualifikimit të Shqipërisë në Kampionatin Europian “Francë 2016” nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, një seri speciale të titulluar “L’Albania di una nuova era” (Shqipëria e një epoke të re).

Duke i atribuar me të drejtë shumë merita për udhëheqjen e Kombëtares së Shqipërisë drejt “Euro 2016”, i pyetur për magjinë me të cilën bëri të mundur këtë arritje madhështore, De Biasi u shpreh: “Në Shqipëri ka shumë dëshirë për të punuar dhe për tu rritur e përmirësuar, por mbetet ende vend për të përmirësuar punën në organizim. Sfida ime kryesore me të marrë drejtimin e përfaqësueses kuqezi, ishte krijimi i një grupi të mirë”.

“Për shkak se futbollistët shqiptarë luanin futboll në vende shumë të shpërndara në distanca, kam organizuar punën me Tramezanin dhe për hir të së vërtetës, realisht ka qenë ky i fundit që ka bërë më shumë rolin e “Scout-it”. Shqipëria kishte një tjetër mënyrë të të bërit futboll. Tani luhet më shumë në grup dhe si një ekip, duke ndarë të njëjtat ide dhe të njëjtën mënyrë pune”, komentoi De Biasi, transmeton telesport.

I pyetur për preferencat e tij brenda grupit të futbollistëve trajneri i përfaqësueses kuqezi deklaroi: “Nuk mund të ndaj një lojtar të vetëm nga skuadra. Unë jam trajneri i atyre djemve. Ajo që mund të them është se di që kam një grup futbollistësh shumë të mirë të cilët mund të bëjnë mirë dhe të ecin përpara”.