De Biasi lë Gashin jashtë formacionit

Kombëtarja shqiptare pritet të pësojë ndryshime për dy ndeshjet e tetorit, ato përballë Lihtenshtajnit dhe Spanjës.

Mosaktivizimi i disa kuqezinjve në skuadrat ku ata luajnë, përballë formës së mirë që po kalojnë disa të tjerë, të cilët janë pjesë e “Shpresave” (U-21) apo janë grumbulluar shumë rrallë me kombëtaren A, duket se ka ndikuar te trajneri Gianni De Biasi, i cili pritet të bëjë rotacion në skuadër, transmeton tch.

Sinjalin e parë e dha trajneri i kampionëve korçarë, Agostinelli, i cili pas fitores me Luftëtarin pohoi se Liridon Latifi është ftuar nga De Biasi për dy ndeshjet e ardhshme.

Përveç mesfushorit nga Prishtina, në Lihtenshtajn priten dhe të rinj të tjerë. Endri Çekiçi dhe Eros Grezda, që luajnë me Lokomotivën e Zagrebit, mund të jenë nën urdhrat e italianit për ndeshjet e tetorit. Të dy luajnë rregullisht te skuadra kroate, ndërkohë që Grezda shënoi 2 gola brenda 4 ditëve për Lokomotivën, një në kampionat dhe një në kupë.

Jashtë fokusit të De Biasit nuk mund të mbetet sulmuesi Azdren Llullaku, i cili është aktualisht golashënuesi më i mirë i Ligës së parë rumune. 28-vjeçari, i cili ka lindur në Istog dhe është pajisur me pasaportë shqiptare në vitin 2013, luan me Gaz Metan dhe deri tani ka shënuar 8 gola. Llukaku është grumbulluar një herë për sfidën e 7 qershorit me Norvegjinë, por nuk ka luajtur asnjë minutë me kuqezinjtë.

Ende nuk dihet nëse De Biasi do t’i bëjë një vend në “23-she” dy shqiptarëve të Serie A, portierit Thomas Strakosha dhe sulmuesit Rey Manaj. I pari bëri paraqitje mjaft të mira ndaj Milanit dhe Empolit, ndërsa i dyti shënoi golin e barazimit për Peskarën në sfidën ndaj Xhenoas.

Jashtë formacionit do të mbetet edhe kosovari Shkëlzen Gashi.