De Biasi: Ja dëshmia ime (VIDEO)

De Biasi beson se vendimi CAS’it do të jetë pozitiv edhe pse e pranon se një herë janë zhgënjyer nga UEFA.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka folur për dëshmitë dhe pritjet e tij dhe të Shqipërisë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Ai gjatë një interviste për Agon Channel ka thënë se kanë dëshmuar në mënyrën më të mirë për atë që ka ndodhur në fushë dhe jashtë saj dhe se presin një vendim pozitiv.

“Mendoj se gjykata ka pasur një mundësi të dëgjoj dëshmitë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë, çoftë në fushën e lojës edhe jashtë saj, pra ka marrë një dëshmi të plotë”, tha De Biasi.

Ai po ashtu tregoi edhe për dëshminë e federatës serbe, ku tha se kishin tre dëshmitarë të rinj, por pa përmendur emra.

“Serbët kanë pasur tre dëshmitarë sa i përket pjesës së tyre dhe gjithsecili përpiqet të bëjë më të mirën për interesat e tij, por e vërteta mbetet vetëm një, ajo që është parë në fushë. Ne kemi dhënë dëshmitë për të cilat kishim nevojë, nuk kishim nevojë për persona të tjerë. Ishte Loriku, unë dhe një konsulent i yni që është një ekspert sa i takon. Ishim te pozicionuar mjaft mirë, por do të shohim në javët në vijim se si do të jetë vendimi”, vazhdoi ai.

“Nga UEFA prisnim që të fitonim, kështu që këtu duhet të ndryshojmë strategji. Shpresoj që rezultati të jetë sa më pozitiv për skuadrën tonë. Nuk e di se kur do të merret vendimi, ndoshta një ose dy javë, por vërtetë nuk e di, as avokati nuk e dinte, kështu që mbetemi në pritje”, tha në fund përzgjedhësi shqiptar.

 

https://www.youtube.com/watch?v=SzASU4mCAHU