De Biasi e Cana kanë një mesazh për tifozët shqiptarë

Pas trajnerit të Danimarkës, Marten Olsen, radhën në konferencën për shtyp e ka pasur trajneri ynë, Xhani De Biazi, që së bashku me kapitenin Cana kanë thënë fjalët e tyre për ndeshjen e nesërme.

Të dy kanë qenë sinkron, duke e ditur vështirësinë e ndeshjes, por besojnë se do të nxjerrin një ndeshje tjetër pozitive dhe me këtë qëllim kanë udhëtuar drejt Danimarkës. Trajneri ynë e cilësoi Danimarkën si favorite për fitimin e ndeshjes, por shtoi se skuadra e tij luan me zemër dhe do të provojë të bëjë rezultat në këtë sfidë.

“Danimarka është skuadër me lojtarë me përvojë, me një trajner me shumë përvojë që punon prej vitesh dhe në mënyrë të shkëlqyer. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por loja fillon e barabartë. Kemi djem të rinj, që luajnë me zemër dhe vitet e fundit kanë fituar eksperiencë. Në takimin e parë barazuam 1-1, por kishim shanse për të shkuar në 2-0 dhe në fund e pësuam. Në këto eliminatore kemi arritur rezultate që nuk i kishim arritur më parë. Megjithatë, jemi me këmbë në tokë, sepse kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Ndaj Danimarkës luajmë një pjesë të rëndësishme të objektivit”, – u shpreh De Biazi.

Ndërsa kapiteni Cana u shpreh: “Do të japim më të mirën në këtë ndeshje të rëndësishme. Kemi mungesa, por nuk dorëzohemi. Kemi shumë lojtarë të rinj në këto eliminatore, por deri tani po realizojmë ëndrrën e shqiptarëve, që është kualifikimi në Europian. Jemi në gjysmë të rrugës, por kjo ndeshje është vendimtare për të dyja skuadrat. Mbështetja e tifozëve do të jetë shumë e rëndësishme. Gjithmonë na kanë përkrahur dhe jashtë fushe kemi qenë disa herë më shumë në numër sesa vendësit. Ne do të bëjmë maksimumin dhe për ta. Humbja është e papranueshme, ata janë favoritë, por ne do të bëjmë lojën tonë.”