Ditë “zjarri” në Superligë: Super-ndeshje në Podujevë, Mitrovicë e Gjilan

Tri ndeshjet më interesante të xhiros së 5 të Superligës çuditërisht do të luhen në një ditë të vetme dhe ato zhvillohen sot!

Do të jetë një ditë ku nëse s’do të shkoni në stadium, s’do të dini se cilën ndeshje ta shikoni më parë në TV, por gjithsesi të rejat në kohë reale e në mënyrë kronologjike do t’ua sjellë Gazeta Olle.

“Zahir Pajaziti” hapë dyert për ndeshjen më interesante të ditës që zhvillohet mes dy ekipeve që luftojnë për titullin kampion, Llapit dhe Dritës.

Fitoret e fundjavës iu kanë dhënë “krahë” skuadrave bardhekaltër, që do të luftojnë vetëm për trepikësh, me duelet mes tyre që kanë qenë gjithmonë të paparashikueshme në vitet e fundit.

“Riza Lushta” do të jetë stadiumi që pret një tjetër super-sfidë sot.

Trepça ’89 që e ka nisur kampionatin me lojëra të mira por me vetëm një fitore në katër xhiro, pret Prishtinën që nuk e ka asnjë të tillë.

89-shi, i kthyer në identitetin e saj, me lojë të shpejtë e të bukur do të kërkojë fitoren, e cila i duhet edhe Bylbyl Sokolit për ta larguar ekipin nga… zona e rënies në Ligën e Parë!

Ndërkohë një tjetër ballafaqim për t’u ndjekur është ai mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Tri fitoret në tri ndeshjet e fundit e kanë ngritur Gjilanin në vendin e dytë, por përballë ka ekipin që i ka mposhtur rregullisht në edicionin e kaluar, Ballkanin, që s’ka pësuar ende asnjë humbje këtë kampionat.

Të gjitha ndeshjet fillojnë prej orës 16:00. 

IPKO SUPERLIGA

16:00 Llapi – Drita 
(Gjyqtarë: B. Kosumi, G. Hyseni, E. Bicaj, K. Vula)

16:00 Trepça ’89 – Prishtina
(Gjyqtarë: T. Maloku, D. Preniqi, V. Kelmendi, A. Halilaj)

16:00 Gjilani – Ballkani
(Gjyqtarë: F. Tahiri, B. Morina, M. Berisha, B. Ajeti). /Gazeta Olle/