Dardan Berisha e ka shumë seriozisht

Përfaqësuesja e Kosovës do të mundohet ta befasojë Lituaninë në ndeshjen e parë eliminatore për “Botërorin 2019”, edhe pse “Dardanët” e pranojnë se mysafirët janë favoritë më 24 nëntor.

Dardan Berisha me shokë presin përkrahje të madhe nga publiku për ta tentuar bashkërisht mrekullinë. Në FBK thonë se salla në Pallatin e Sportit do të jetë e gatshme me kohë. Ndërkohë, përzgjedhësi Brad Greenberg e ka publikuar listën e gjerë të basketbollistëve të ftuar Pas suksesit të jashtëzakonshëm në fazën paraeliminatore, Përfaqësuesen e Kosovës nga ky muaj e pret një punë edhe më e vështirë, shkruan gazeta “Zëri”. Verdhekaltrit do ta nisin javën tjetër aventurën në eliminatoret e “Botërorit 2019” dhe fati i keq i tyre është se menjëherë do të përballen me një superfuqi të basketbollit evropian – Lituaninë.

Berisha: Lituania favorite, por ne s’dorëzohemi

“Dardanët” do t’i presin lituanët më 24 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, në kërkim të mrekullisë, edhe pse Dardan Berisha me shokë janë të vetëdijshëm se kundërshtari, i cili fatmirësisht nuk do të llogarisë në lojtarët që i luajnë në NBA, është favorit në letër. Megjithatë, kosovarët do t’ia bëjnë hyzmetin dhe do ta japin maksimumin, ndërkohë që presin mbështetje edhe nga shikuesit në palestër. “Lituania është shkollë e basketbollit në Evropë dhe në botë, është sporti numër 1 pa konkurrencë në atë shtet dhe ka lojtarë tepër të mirë nëpër krejt vendet e botës. Kështu që, definitivisht Lituania është favorite. Ne do ta japim maksimumin, secili lojtar dhe besoj që edhe salla do të jetë e stërmbushur dhe bashkërisht të mundohemi ta befasojmë një ekip siç është Lituania”, u shpreh për “Zërin” basketbollisti më i mirë kosovar Dardan Berisha. Edhe pse Kosova gjendet në një grup mjaft të vështirë, atë C, së bashku me Lituaninë, Poloninë dhe Hungarinë, basketbollisti pejan zotohet se ai me shokë do të mundohen ta befasojnë secilin kundërshtar. “Është sukses që ne si Kosovë kemi arritur këtu ku jemi dhe definitivisht nuk do të hyjmë në këto eliminatore të dorëzuar, por do ta japim maksimumin në çdo ndeshje”, vazhdoi basketbollisti i Sigal Prishtinës.

Kosova synon ta befasojë Lituaninë

FBK: Salla do të jetë gati me kohë

Edhe pse punimet kanë nisur me disa ditë vonesë, drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës shprehen optimistë se punimet do të përfundojnë me kohë dhe se Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet si vendës në shtëpi. Pak ditë para lojës me Lituaninë, FIBA do ta dërgojë një përfaqësuese për ta parë gjendjen e sallës dhe më pas për ta dhënë “aminin” eventual. “Gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë. Në palestër po punohet me intensitet. Është vendosur një pjesë bukur e madhe e karrigeve. Ndriçimin do ta testojmë sonte (mbrëmë) me të gjitha dritat dhe ngrohja do të jetë në rregull. Në aspektin organizativ besoj se do të jemi ‘OK’”, theksoi për gazetën sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. “Sipas parashikimeve palestra do të jetë e gatshme, ka mundësi, në mes të javës së ardhshme. Do të thotë dy ditë para ndeshjes, më 22 nëntor vjen edhe delegatja teknike e FIBA-s që ta kontrollojë sallën në detaje. Kështu që duhet të jemi në vijë deri më 22 nëntor”, nënvizoi ajo.

Pallati i Rinise dhe Sporteve

Greenberg publikon listën, mungon Hajrizi

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Brad Greenberg, e ka publikuar të mërkurën listën e gjerë të basketbollistëve, në të cilën shihet prezenca e dy amerikanëve të natyralizuar, Scott Bamforth e Shawn Jones. Ndërkohë vërehet mungesa e Drilon Hajrizit, i cili i kishte prishur punët me trajnerin amerikan në ndeshjet parakualifikuese. Siç njofton shtëpia e basketbollit kosovar, trajneri amerikan do të arrijë në Kosovë të dielën dhe Përfaqësuesja do të grumbullohet nga e hëna e ardhshme në Prishtinë. Lojtarët do të zbarkojnë në kryeqytet më 19 nëntor dhe nga 20 deri më 23 nëntor do t’i zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, kurse në ditën e ndeshjes do ta mbajnë një stërvitje të lehtë paradite. Nga ana tjetër, kontingjenti lituan do të arrijë në Prishtinë më 23 nëntor, kur do të ushtrojë në mbrëmje dhe në paraditen e 24 nëntorit. Një ditë pas lojës, e cila fillon në orën 19:00, Kosova do të udhëtojë për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese, më 26 nëntor.

Lista e gjerë e Përfaqësueses së Kosovës: Arti Hajdari, Erjon Kastrati, Alban Veseli, Granit Rugova, Dardan Berisha, Scott Bamforth, Urim Zenelaj, Samir Zekiqi, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Gëzim Morina, Fisnik Rugova, Shawn Jones, Leonard Mekaj e Muhamet Hasani.

greenberg